Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Sqarim për media

Prishtinë, 14  tetor 2015 – Pas akuzave të bëra mbrëmë në emisionin “Rubikon”, në KTV, nga ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Enver Hasani, ndaj kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumzei, kinse për “orkestrim dhe shantazhin ndaj tij për shkak të aktakuzës për shpërdorim të detyrës zyrtare”, me qëllim të  informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ka dy raste të ndara kundër ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Këto raste kanë filluar të hetohen para se kryeprokurori Lumezi të vinte në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit dhe në kohën kur Enver Hasani ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

•    Për rastin e parë, Policia e Kosovës-Sektori për hetimin e krimeve ekonomike në Prishtinë, ka ushtruar kallëzim penal, më 25.07.2012. Ky rast është hetuar nga ekipi mobil i përbërë nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda.

Më 09.01.2014 është nxjerr aktvendimi për fillimin e hetimeve.
Më 12 gusht 2014 kjo lëndë është transferuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërkaq më 21.11.2014 kjo prokurori lënën e ka dërguar në kompetencë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.   

Lidhur me këtë rast më 31 korrik 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  për veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, kundër të pandehurve Enver Hasani, ish rektor i Universitetit të Prishtinës Hakif Veliu, ish shef i zyrës së prokurimit në UP dhe Albert Rakipi drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.

•    Ndërkaq, rasti i dytë ka të bëjë me çështjet e ngritura publikisht nga Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Për këtë rast ka filluar të bëhet mbledhja e informatave menjëherë pas deklaratave të bëra publike nga Avokati i Popullit, Sami Kurteshi,  më 26 shkurt 2015, në të cilat theksohet se me rastin e vendosjes së çështjes së dërguar nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së emërimit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë, është marrë vendim i paligjshëm, si dhe është bërë një falsifikim. Lidhur me këto pretendime, aktvendimi për fillim të hetimeve është nxjerrë më 14.04.2015. Më 20.05.2015,  Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë Aktvendim, për pezullimin e përkohësisht procedurën ndaj ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, z. Enver Hasani, për të vërtetuar pretendimet e tij nëse ai gëzonte imunitet nga ndjekja penale.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, më 22 prill 2015 ka pranuar pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, ndërkaq siç shihet dy rastet kanë filluar të hetohen para se të dekretohet kryeprokurori Lumezi në këtë detyrë.

Gjithashtu, për hir të informimit të drejtë të opinionit publik njoftojmë se kryeprokurori i Shtetit nuk ka kompetencë për të ngritur akte akuzuese dhe prokurorët janë të pavarur dhe kompetent për të ndjekur personat e dyshuar për kryerjen e veprave penale, ndërsa kryeprokurori i Shtetit është vetëm udhëheqës dhe kreu mbikëqyrës i prokurorëve të shtetit.
Është e kundërligjshme dhe kundër kushtetuese për cilindo person fizik apo juridik që të ndërhyj, pengoj apo ndikoj tek prokurori gjatë kryerjes së funksioneve prokuroriale lidhur me cilindo hetim, procedurë apo lëndë individuale.

Në Republikën e Kosovës prokurorët ushtrojnë funksionet prokuroriale në mënyrë të pavarur, të drejtë, objektive dhe të paanshme, si dhe sigurojnë që të gjithë personat të trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit.