Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Njoftim për media

Prishtinë, 15  tetor 2015 – Prokurori i Shtetit e respekton plotësisht të drejtën demokratike të secilit qytetarë për të protestuar, mirëpo Prokurori i Shtetit është i obliguar që në bazë të ligjit të ndërmerr të gjitha masat nëse protestat shoqërohen me dhunë dhe veprime tjera kundërligjore.

Për këtë arsye dje Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit  kundër 5 personave të ndaluar gjatë zhvillimit të protestës, së datës 12 Tetor 2015, ndërkaq për katër të tjerë ka kërkuar masën paraqitja në stacionin policor. Të gjithë këta të pandehur dyshohen se kanë kryer veprën penale: Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 412 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

Siç kemi njoftuar opinionin edhe më herët, Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Duke u bazuar në nenin 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale, Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë deputetëve Kurti dhe Haxhiu u ka dërguar dje ftesa për tu paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, më datën 22 tetor 2015, për të dhënë deklaratat e tyre lidhur më dyshimet që ju vihen në barrë.
Gjithashtu, në bazë të nenit 151 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale pas thirrjes nga prokurori, të gjithë të pandehurit, e në këtë rast edhe Kurti dhe Haxhiu duhet të paraqiten para Prokurorit të Shtetit, mirëpo të njëjtit mund të paraqesin ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për të vendosur mbi ligjshmërinë e detyrimit të tyre për t’u paraqitur para prokurorit të shtetit. Nëse të pandehurit, në rastin konkret Kurti dhe Haxhiu, të cilët janë thirrur me rregull nuk paraqiten dhe nuk e arsyetojnë mungesën e tyre ose kur thirrja nuk ka mundur t’iu dërgohet sipas rregullit dhe kur sipas rrethanave është e qartë se të pandehurit i shmangen pranimit të thirrjes, sipas dispozitës së nenit 175 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, gjyqtari i procedurës paraprake më kërkesë të prokurorit të çështjes lëshon urdhërarrest.

Prokurori i Shtetit pret që të pandehurit, në rastin konkret Kurti dhe Haxhiu, tu përgjigjen ftesave dhe të kontribuojnë në zhvillimin dhe përfundimin normal të procedurës penale.

Prokurori i Shtetit është i vendosur që të respektoj të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale, duke respektuar dinjitetin e secilit individ në përputhje me dispozitat ligjore.