Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për trafikim me qenie njerëzore

Mitrovicë, 21 janar 2019 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për shtetasin kosovar R.L, 60 vjeçar.

I njëjti dyshohet se gjatë muajit shkurt 2018 ka marrë pjesë në trafikimin e njerëzve, ashtu që të dëmtuarën M.H, pasi e ka takuar në Mitrovicë, e ka transportuar me veturën e tij dhe e ka strehuar në lokalin e tij në Skenderaj, me anë të mashtrimit dhe duke e shfrytëzuar pozitën e saj e ka rekrutuar dhe e ka detyruar që të punojë kamariere në lokalin e tij, me premtimin se kinse do ta paguajë, e ka mbajtur nën kontrollë duke ja mbyllur derën e lokalit, po ashtu e ka detyruar që të ulet me mysafirët e lokalit të tij, ti joshë seksualisht ata, e po ashtu e ka kërcënuar me anë të revoles, dhe e ka shfrytëzuar vetë seksualisht dhe për përfitim material prej 10-15 € e ka detyruar të ketë marrëdhënie seksuale me persona tjerë.

Po ashtu i dyshuari ka poseduar dhe mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me ligjin mbi armët në Kosovë, e atë 4 revole dhe një sasi të fishekëve, që i janë gjetur dhe konfiskuar gjatë kontrollit nga ana e policisë.

I dyshuari me këto veprime dyshohet se ka kryer veprat penale “trafikimi me njerëz” nga neni 171 paragrafi 1, të KPRK, dhe “mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të pa-autorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 2 të KPRK.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një (1) muaji.