Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka pritur në takim përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë

Prishtinë, 10 tetor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), z. Jetish Maloku, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj dhe anëtarët e KPK-së, z. Ardian Hajdaraj dhe z. Armend Zenelaj, ka pritur sot në takim drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), z. Altin Dumani.

Qëllimi i vizitës së sotme konsiston me vendosjen e urave për fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh në kuadër të sundimit të ligjit dhe luftës së përbashkët kundër krimit të organizuar dhe diskutimin për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet institucioneve përkatëse të të dyja vendeve.

Kryesuesi i KPK-së, z. Jetish Maloku, falënderoi kreun e SPAK-ut, z.Dumani, për vizitën në institucionet e sistemit prokurorial, duke vlerësuar lart rëndësinë e takimeve të tilla dhe shkëmbimin e përvojave, me ç’rast theksoi se takimi i sotëm përbën një moment të rëndësishëm në drejtim të avancimit të partneritetit dhe zbatimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë.

Bashkëbiseduesit, z. Maloku dhe z.Dumani, shprehën përkushtimin dhe zotimin e tyre për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, të cilat do të ndikojnë pashmangshëm në suksesin e luftimit të tërësishëm të të gjitha llojeve të krimit.

Rrjedhimisht, në përfundim të këtij takimi, të dyja palët potencuan edhe rolin, ndihmën dhe mbështetjen e parezervë të partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër të fuqizimit të zbatimit të ligjit në të dyja vendet, si dhe proceset integruese që ndërlidhen më zbatimin e praktikave dhe standardeve të BE-së në fushën e drejtësisë.