Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet punëtori për prezantimin e draftit të Rregullores për organizmin e brendshëm dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit

Prishtinë, 4 tetor 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me mbështetjen e Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë, EUKOJUST, ka organizuar një punëtori treditore për prezantimin e draftit të Rregullores për organizmin e brendshëm dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit.

Në këtë punëtori janë duke marrë pjesë Kryesuesi i KPK-së, z.Jetish Maloku, anëtarë të komisioneve, kryeprokurorë të prokurorive, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe Projektit të EUKOJUST-it, anëtarë të grupit për hartimin e këtij drafti dhe udhëheqës administrativ të sistemit prokurorial të Kosovës.

Fillimisht, në sesionin e parë, Kryesuesi Maloku, theksoi rëndësinë e veçantë që ka ky akt nënligjor për Prokurorin e Shtetit, duke vënë në pah edhe mbështetjen e pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët me ekspertizat e tyre janë duke e ndihmuar në shumë segmente fuqizimin dhe avancimin e sistemit prokurorial.

Po ashtu në vijim, sipas agjendës së paraparë, është diskutuar për strukturën, detyrat dhe përgjegjësitë e Prokurorit të Shtetit, ndërsa në përfundim të sesionit të sotëm, u tha se ky draft do të trajtohet, shqyrtohet dhe analizohet gjerësisht gjatë diskutimeve të zgjeruara të pjesëmarrësve në sesionet e radhës, sidomos për mënyrat dhe format adekuate të organizimit të punës, organizimit të administratës dhe krijimit të kushteve të nevojshme për punën e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), Prokurorisë së Apelit (PA), Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PRSK) dhe prokurorive themelore të vendit.