Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve

 

E nderuara Kryetare e Gjykatës Supreme, znj. Mejreme Mema,

Të nderuar  përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, z. John Hanley dhe z. Erin Cox,

I nderuar Kryesues i Këshillit Gjyqësor, z. Albert Zogaj, 

I nderuari Kryesues i Këshillit Prokurorial, z. Jetish Maloku,

I nderuar ish-Kryeprokuror i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi,

Të nderuar anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës,

Të nderuar kryeprokurorë dhe prokurorë të shtetit,

Të nderuar administratorë të prokurorive,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është privilegj dhe kënaqësi për mua që në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të ju drejtohem në Konferencën Vjetore të Prokurorëve dhe t’ju falënderoj që ju keni përgjigjur ftesës për të marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, që ka institucioni i Prokurorit të Shtetit.

Kjo fjalë e imja hyrëse do të jetë e fokusuar në të arriturat dhe në sfidat e Prokurorit të Shtetit gjatë vitit 2022.

Raportet kredibile ndërkombëtare tregojnë së Kosova ka shënuar rezultate të konsiderueshme në sundimin e ligjit, jo vetëm në rajon por edhe në nivel botëror, ku Sistemi Prokurorial ka pasur rolin vendimtar në këto suksese.

Këto suksese në kohën e fundit po i pranojnë edhe ata që në vazhdimësi kanë kritikuar dhe vazhdojnë ta kritikojnë Sistemin Prokurorial. Arrestimet e zyrtarëve publik, sekuestrimet, shkatërrimi i disa grupeve kriminale dhe shkatërrimi i disa laboratorëve për përpunimin e narkotikëve, janë vetëm disa nga sukseset për të cilat flasin përfaqësuesit e pushteteve tjera në Kosovë, dhe ky është argumenti më i mirë se edhe ata që na kritikojnë i pranojnë sukseset e punës tonë.  

Gjatë vitit 2022, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 50,998 kallëzime penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 44,247 kallëzime penale, ose 86.76% e lëndëve të pranuara gjatë periudhës raportuese.

Bazuar në indikatorët e European Commission for the Efficiency of Justice (CEPEJ), numri i lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e lëndëve të pranuara gjatë kësaj periudhe, rezulton që norma e zgjidhjes së lëndëve nga Prokurori i Shtetit është 87,00%.

Po ashtu, Prokurori i Shtetit i ka kushtuar rëndësi edhe procedurave alternative, ku me kryerës të njohur ka zgjidhur 1,769 raste me 3,029 persona. Ndërsa, gjatë vitit 2022, me urdhër ndëshkimor janë zgjidhur 3,179 raste.

Lidhur me rastet e korrupsionit dhe krimit ekonomik, Prokurori i Shtetit në vitin 2022 ka pranuar në punë 1,077 raste me 1894 persona, ndërsa ka zgjidhur 792 raste me 1,384 persona ose 73.53%,. Në anën tjetër, për rastet e krimit ekonomik janë pranuar në punë 462 raste me 673 persona, ndërsa janë zgjidhur 411 raste me 582 persona ose 88.96%,.

Vlera e pasurisë se ngrirë dhe sekuestruar gjatë vitit 2022, ishte 20,728,965.42 € ndërsa konfiskimi përfundimtar nga gjykatat ishte 669,765.14 €.

Për veprat penale të krimit të organizuar, gjatë vitit që lamë pas, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 25 raste të reja me 145 persona, ndërsa janë zgjidhur 21 raste me 120 persona. Gjatë kësaj periudhe lidhur me aktakuzat e ngritura nga Prokurori i Shtetit, gjykatat kanë vendosur rastet për 19 persona, prej të cilëve për 16 persona janë vendime fajësuese.

Po ashtu, janë shenjëstruar edhe 5 raste të reja duke e dërguar në 84 numrin e rasteve të shenjëstruara. Këtij numri i janë shtuar edhe disa raste në ketë vit.

Gjatë vitit 2022 Prokurori i Shtetit ka trajtuar më shumë seriozitet edhe rastet e terrorizmit, ku janë zgjidhur 10 raste me 48 persona.

Prokurori i Shtetit i ka trajtuar me prioritet edhe rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, ku gjatë vitit 2022, janë zgjidhur 55 raste me 78 persona.

Sa i përket rasteve të dhunës në familje, gjatë periudhës raportuese, përveç rasteve qe ishin trashëguar, ka pranuar në punë edhe 2,977 raste të reja me 3,481 persona. Duke u dhënë përparësi zgjidhjes së këtyre rasteve Prokurori i Shtetit i ka zgjidhur 3,015 raste me 3,610 persona.

Një sukses tjetër i arritur është edhe trajtimi i rasteve ku ka pasur aktakuza dhe propozime për shqiptim të masave të trajtimit të detyrueshëm, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur 19,812 raste të tilla.

Një e dhënë shumë optimiste është edhe fakti së lidhur me aktakuzat e ngritura nga Prokurori i Shtetit, gjatë kësaj periudhe, gjykatat kanë vendosur për 15,760 raste nga të cilat 14,912 raste janë marr vendime fajësuese, përkatësisht masa të trajtimit të detyrueshëm.

Vendimet gjyqësore përkitazi me aktet akuzuese, të cilat janë ushtruar nga të gjitha prokuroritë themelore dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në 94.62 % të rasteve kanë përfunduar me aktgjykime fajësuese.

Edhe pse shpeshherë kemi dëgjuar kritika për aktakuza të dobëta të dërguara në gjykata, më duhet të theksoj se vendimet e gjykatave, të cilat janë të vetmet institucione që i vlerësojnë aktakuzat e prokurorëve në procedurë penale, dëshmojnë më së miri për cilësinë e aktakuzave të prokurorëve të shtetit. Mirëpo ne nuk duhet të jemi të vetëkënaqur më cilësinë, sepse ka edhe shumë punë për tu bërë që arrijmë suksese edhe më të mëdha në hartimin dhe përfaqësimin e mirë të aktakuzave tona në gjykatë.

Edhe Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka ofruar shërbime dhe ndihmë për viktimat e krimit, duke trajtuar 2,847 raste të dhunës në familje, ngacmimit dhe sulmeve seksuale, trafikimit të qenieve njerëzore, dhunimit, prostitucionit dhe rasteve të tjera.

Lidhur me sukseset e arritura dua të them se, puna e përbashkët ekipore e prokurorëve dhe policëve hetues ka dërguar porosi të qarta te të gjithë pjesëtarët e grupeve kriminale se nuk mund të vihen mbi institucionet e shtetit.

Jemi të vetëdijshëm se rreziqet për drejtësinë dhe sigurisë, në veçanti ato që vijnë nga krimi i organizuar, terrorizmi dhe pastrimi i parave, nuk mund të zgjidhen vetëm nga një shtet i vetëm, prandaj ne kemi nevojë për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtarë, sepse kemi parë se këto vepra penale tejkalojnë kufijtë kombëtarë dhe paraqesin rrezik edhe për vendin tonë. Kjo, jo vetëm që është një sfidë, por edhe një detyrim i shtetit tonë. Andaj ne vitin 2022 përveç bashkëpunimit të vazhdueshëm më partnerët tanë ndërkombëtar, në veçanti më SHBA dhe BE, ne arritëm që për herë të parë të kemi bashkëpunim zyrtar edhe më EUROJUST.

Duke marr parasysh rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, një vëmendje të posaçme ia kemi kushtuar edhe të gjitha kërkesave për ndihmë juridike ndërkombëtare që kanë ardhur nga shtetet e tjera.

Më ketë rast dua të falënderoj shumë  Ambasadën e SHBA-së, Zyrën e BE-së, EULEX-in, Ambasadat e vendeve mike të vendosura në Kosovë, të cilët kanë kontribuar në rritjen e pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës së Sistemit Prokurorial të Kosovës, në përputhje me standardet ndërkombëtare, sepse edhe qëllimi ynë është që këto standarde të jenë pjesë e punës tonë të përditshme.

Fakti që kemi mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës na jep të drejtë për të besuar se edhe në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të jep rezultate konkrete në forcimin e shtetit ligjor.

Një falënderim të veçantë dua ta bëjë edhe për shoqërinë civile, e cila shpesh herë ka pasur qëndrime konstruktive siç ishte rasti i reagimit të tyre për uljen drastike të pagave për prokurorët dhe gjyqtarët, por edhe duke bërë kritika pozitive për Sistemin Prokurorial. Këto kritika kanë qenë dhe do të jenë një shtytje për të përmirësuar punën tonë në interes të qytetarëve dhe drejtësisë.

Sa i përket  transparencës, kemi bërë përpjekje që askush, që ka interes juridik, të mos mbetet pa marr përgjigje në përputhje më dispozitat ligjore në fuqi. Marrëdhënia profesionale me media dhe opinionin publik nuk është vetëm obligim, por edhe nevojë e kohës, sepse vetëm kështu mund të përmirësojmë imazhin e Prokurorit të Shtetit, i cili ende vazhdon të jetë në nivel jo të kënaqshëm.

Do të ishte gabim të thuhej se kemi realizuar të gjitha ato që i kemi planifikuar, sepse edhe përkundër faktit që kemi bërë mjaft nuk do të thotë se kemi bërë mjaftueshëm. Dua të tërheq vëmendjen se neve na duhet të jemi më proaktivë, sidomos në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, sepse pasojat e korrupsionit për shoqërinë janë shumë të mëdha, korrupsioni zvogëlon mundësit e integrimit  Euroatlantik të Kosovës, dobëson besueshmërinë e qytetarëve në vendimmarrje, drejtësinë e bënë joefikase dhe  dëmton rëndë të gjitha sektorët e jetës, duke përfshirë edhe investimet e huaja, andaj neglizhenca e trajtimit të këtyre rasteve, jo vetëm që është e pa pranueshme por do të jetë edhe e ndëshkueshme. Lidhur më ketë Prokurori i Shtetit duhet të jetë shembull për të mirë për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit e jo shenjestër e goditjeve dhe arsye për cenimin e imazhit të Prokurorit të Shtetit.

Sfidë tjetër e sistemit prokurorial vazhdon të mbetet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme, edhe përkundër faktit se gjatë vitit 2022  janë sekuestruar asete në vlerë prej 20,728,965.42 € konfiskimi përfundimtar nga gjykatat në vlerë prej  669,765.14 €, vazhdon të jetë larg shifrave të sekuestrimit dhe ngrirjes. Kjo paraqet në sfidë e cila sa më parë që adresohet aq më mirë do të jetë për shoqërinë, në të kundërtën imazhi jonë do të dobësohet edhe më shumë, ndërsa përgjegjësia jonë do të jetë edhe më e madhe, andaj ju bëj thirrje që rastet e konfiskimit të trajtohen me prioritet dhe profesionalizëm, sepse çelësi i suksesit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme nga grupet kriminale.

Lidhur më krimet  e luftës jemi të vetëdijshëm që prokuroria në kohën e UNMIK-ut dhe EULEX-it nuk ka arritur rezultate të kënaqshme, mirëpo në PSRK, tashmë janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, duke u kryer i tërë sistemimi i këtyre rasteve dhe duke u ngritur të gjitha kapacitetet për  hetimin e këtyre rasteve, në përputhje më Strategjinë për hetimin e krimeve të luftës.

 

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë vitit të kaluar një temë e rëndësishme ishte edhe çështja për vettingun në sistemin gjyqësor.

Siç jeni në dijeni qëndrimi i Sistemit Prokurorial dhe atij Gjyqësor ishte shumë i qartë dhe në përputhje më Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

Ne jemi pajtuar që çdo reformë në drejtësi të bëhet përmes ligjeve e jo përmes ndryshimeve kushtetuese, sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës është garanca më e madhe për pastrimin e Sistemit Prokurorial dhe Gjyqësor nga prokurorët dhe gjyqtarët që kryejnë vepra penale dhe bëjnë shkelje të rënda të detyrës. Andaj, të gjithë ata që kanë njohuri për prokurorët dhe gjyqtarët e tillë e kanë edhe detyrim ligjor që këto raste t’i paraqesin në prokurori për hetime penale  apo tek autoritetet përgjegjëse për përgjegjësi disiplinore, në të kundërtën ata që kanë njohuri për këto raste dhe nuk i paraqesin mbajnë edhe përgjegjësi penale për fshehje apo mosparaqitje të këtyre rasteve.

Në fund, dua të falënderoj të gjithë prokurorët e shtetit, bashkëpunëtorët profesional, zyrtarët ligjor dhe të gjithë stafin e Prokurorit të Shtetit, që me punën e tyre i shërbyen  Sistemit Prokurorial dhe drejtësisë.

Mbesë më shpresë së në ta ardhmen do të tregoni përkushtim, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi më të madhe në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore dhe se do të luani një rol më aktiv në drejtim të forcimit të pavarësisë, paanshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies, në mënyrë që ta forconi besimin e qytetarëve në Sistemin e Prokurorial.

Dhe krejt në fund dëshiroj dhe shpresoj që  sa më parë të kemi një Kryeprokuror të Shtetit të emëruar më mandat të plotë, i cili duhet të ketë gjithë mbështetjen tonë për të çuar drejtë sukseseve edhe më të mëdha institucionin e Prokurorit të Shtetit  dhe Sistemin Prokurorial.

Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj dhe uroj që kjo Konferencë të na shkoj mbarë!

 

Prishtinë,

25 Mars 2023