Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U.D. Kryeprokurori i Shtetit priti në vizitë studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së

Prishtinë, 21 tetor 2022 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në vizitë një grup studentësh, juristë të rinj, të nacionalitetit shqiptarë dhe serbë, të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).

Kjo vizitë kishte për qëllim që studentët të informohen drejtpërdrejtë nga U.D. Kryeprokurori i Shtetit rreth rolit, përgjegjësive dhe detyrave të Prokurorit të Shtetit në kuadër të sistemit të drejtësisë.

Fillimisht, U.D. Kryeprokurori Kelmendi iu uroi mirëseardhje studentëve dhe e vlerësoi lartë vizitën e tyre, me ç’rast i njoftoi për së afërmi me mënyrën e funksionimit, strukturën organizative dhe kompetencat e Prokurorit të Shtetit, sfidat dhe të arriturat e këtij institucioni, si dhe për të gjitha veprimet procedurale që prokurorët i ndërmarrin gjatë fazave të hetimit, ngritjes së aktakuzës deri të dërgimi dhe përfaqësimi i akteve akuzuese në gjykatë.

Po ashtu, ata u njoftuan edhe për angazhimin e prokurorëve të shtetit në grupet e ndryshme punuese lidhur me plotësimin-ndryshimin e legjislacionit në fushën penale, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

U.D. Kryeprokurori i Shtetit iu përgjigj pyetjeve të studentëve lidhur me çështjet që ata kishin interes të informoheshin, e që ndërlidheshin me punën e përditshme të Prokurorit të Shtetit, ku dhe  shkëmbyen biseda të përbashkëta profesionale nga fusha e drejtësisë penale si dhe patën mundësi të shohin nga afër edhe zyrat e punës së prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional.

Në fund, U.D. Kryeprokurori Kelmendi ka falënderuar studentët për vizitën në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke ju uruar suksese në rrugëtimin e tyre profesional si juristë të rinj, me ç’rast i ka inkurajuar ata që në të ardhmen të kontribuojnë profesionalisht në institucionet e drejtësisë, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.