Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Rekomandimet e e Konferencës dhe përmbyllja e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit

Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, nga data 25 gjer më 29 tetor 2021, u organizua  “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit “

Java është mbajtur duke respektuar të gjitha masat parandaluese dhe për shkak të rrethanave të shkaktuara nga Covid-19 është hapur me fjalimet e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, Presidentes  së Republikës së Kosovës, SH.S. Znj. Osmani-Sadriu, Ministres së Drejtësisë, Znj. Haxhiu, Kryesuesit të KPK-së, z. Maloku, Kryetarit të Gjykatës Supreme, z. Peci dhe Menaxherit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, z. Kastrati

Emërues i përbashkët i të gjitha fjalimeve ishte se përkundrejt arritjeve të deritashme të sistemit të drejtësisë, ka hapësirë dhe institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë për trajtimin e viktimave të krimit, duke u nisur fuqishëm nga motoja Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, se vetëm së bashku mund t’i ndihmojmë viktimat e krimit.

E veçanta e këtij viti ishte organizimi i konferencës qendrore në hapje me krerët e sistemit të drejtësisë dhe presidenten e vendit, si dhe organizimi webinareve online përmes platformës zoom dhe prezantimi i panelistëve të ndryshëm, me ç’rast pjesëmarrës ishin afër 230 zyrtarë të institucioneve dhe shoqërisë civile, ku u debatuan temat e caktuara, si në vijim:

1. “Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje”;

 2. “Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit”;

 3. “Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe i politikave kundër trafikimit të njerëzve” dhe

4. “Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor”.

Në fund të secilës ditë dhe temë specifike janë dhënë rekomandime, me qëllim të përmirësimit dhe angazhimit të mëtutjeshëm të institucioneve përkatëse për ofrim të shërbimeve më efikase dhe dhënien e dënimeve meritore për kryerësit e veprave.

Rekomandimet konkrete, të dala nga debatet e organizuara janë si në vijim:       

  • Të bëhet përmirësimi i shërbimeve për viktimat e dhunës në familje dhe kategoritë e tjera;
  • Të përdoret databaza për dhunën në familje për të përcjellë shërbimet e ofruara për viktimën dhe shmangia e kontaktit të tepërt me viktimën – riviktimizimin;
  • Të bëhet përmirësimi i bashkëpunimit dhe i komunikimit ndërinstitucional, veçanërisht të bëhet krijimi i një dialogu të prokurorisë dhe gjykatave me mediat sa i përket mbrojtjes së privatësisë së viktimës;
  • Të ketë prokurorë të specializuar për komunikim me media;
  • Të kryhen detyrat dhe të merret përgjegjësia nga secili institucion në mbrojtjen e viktimave;
  • Të ruhet komunikimit në mes të partnerëve, sidomos në rastet kur kërkohet të ndryshohet plani i ndihmës për viktimën;
  • Të bëhet përcjellja e rasteve deri në fund të procedurës dhe referimi i viktimave në programin e kompensimit;
  • Të zbatohet konfiskimi i rasteve të trafikimit të njerëzve, si mjet më i mirë për shkatërrimin e grupeve kriminale dhe ndëshkimin e kryerësve;
  • Të rritet besimi i viktimave dhe publikut në institucionet e drejtësisë, duke ofruar shërbime me të mira për viktimat, ndjekje penale dhe ndëshkim të kryerësve;
  • Të bëhet specializimi i prokurorëve dhe i gjyqtarëve në rastet e trafikimit të njerëzve, vlen edhe për dhunën në familje;
  • Të parandalohet mbyllja e personave me çrregullime mendore në burgje derisa të lirohen vendet në institutin përkatës, por të trajtohen me kohë;
  • Të ketë hapësirë në media lidhur me programet edukative shëndetësore;
  • Të ketë qasje proaktive ndaj  kryesve të dhunshëm dhe
  • Të mos ketë mosstigmatizim të personave me çrregullime të shëndetit mendor.

Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit, e cila kësaj radhe shënohet për herë të dymbëdhjetë në vendin tonë, ka për qëllim respektimin e viktimave të krimit dhe rritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre.

Kjo javë është organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit\ZMNV.