Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjala e Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi në konferencën e jashtëzakonshme lidhur me konfiskimin e 400 kg narkotikë të llojit kokainë


Prishtinë, 17 maj 2021 - 

Të nderuar qytetarë, 

Të nderuar përfaqësues të mediave, 


Faleminderit që iu keni përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në këtë konferencë të jashtëzakonshme për media. 

Ju njoftoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, autoritetet italiane dhe ato shqiptare, sot janë ndërmarrë masa dhe veprime të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e 400 kg narkotikë të llojit kokainë, vlera e të cilës arrin rreth 20 milion euro, si dhe janë sekuestruar një sasi e të hollave, veturave dhe sendeve tjera të cilat do të na shërbejnë në procedurën e më vonshme penale. 

Më këtë rast, janë privuar nga liria 7 pjesëtarë të grupit kriminal.

Dëshiroj të them gjatë fazës së hetimit janë përdorur masat e fshehta, ku kemi përcjellur lëvizjen e narkotikëve nga shteti i Brazilit për në Itali, më pastaj në Durrës deri në arritjen në destinacion, përkatësisht në Republikën e Kosovës.  
Në këtë mënyrë kemi vërtetuar edhe një herë se puna e përbashkët ekipore e Prokurorisë dhe Policisë iu dërgon porosi të qarta të gjitha grupeve kriminale se do të përballen me drejtësinë. 

Jemi të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të luftohen nga një shtet i vetëm. 

Prandaj, në këtë rast kemi bashkëpunuar me partnerët tanë duke parë se krimi me të cilin po ballafaqohemi i tejkalon kufijtë e shtetit tonë. 
Kjo jo vetëm që ishte një sfidë për shtetin tonë, por edhe një detyrim për ta luftuar krimin e organizuar. 

Në fund, me lejoni të falënderoj Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë (SPAK), autoritetet italiane, Policinë e Kosovës dhe Policinë e Shqipërisë për bashkëpunimin, koordinimin dhe bashkëveprimin në zbulimin e këtij rasti. 

Ju faleminderit për vëmendjen.