Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet Konferenca Vjetore e Prokurorëve të Shtetit

Prishtinë, 22 janar 2021 – Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është mbajtur Konferenca Vjetore e Prokurorëve, e cila këtë vit për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, është organizuar në formë virtuale nëpërmjet platformës “Zoom”.

Konferenca është hapur me fjalimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka folur për punën, sfidat dhe të arriturat e institucionit të Prokurorit të Shtetit gjatë vitit 2020.

Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se përkundër numrit të madh të sfidave dhe vështirësive nëpër të cilat ka kaluar Prokurori i Shtetit, është thelbësor fakti që kemi treguar se jemi të gatshëm dhe të aftë të veprojmë në mënyrë adekuate, duke iu përgjigjur me sukses nevojave të kohës, ku edhe përkundër rrethanave të shkaktuara nga pandemia Covid-19, puna e Prokurorit të Shtetit nuk u ndalua për asnjë moment, duke i kryer kështu me përgjegjshmëri detyrat institucionale të përcaktuara me Kushtetutë dhe legjislacionin në fuqi.

“Për ta dëshmuar këtë, theksoj faktin se gjatë vitit 2020, Prokurori i Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446 kallëzime - lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë penale. Respektivisht, janë zgjidhur edhe 5 mijë e 935 kallëzime – lëndë penale të bartura nga vitet paraprake”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit.

Po ashtu, Kryeprokurori Lumezi, ka deklaruar se gjatë vitit të kaluar janë ngritur aktakuza të ndryshme për vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ku në mesin e të akuzuarve ka edhe ish-ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror, me ç’rast është dëshmuar se askush nuk është i paprekshëm për Prokurorin e Shtetit dhe se do të vihen para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë rënë ndesh më ligjin, pavarësisht statusit të tyre në shoqëri apo funksionit që ushtrojnë.

Kryeprokurori i Shtetit, ndër të tjera ka folur edhe për lidhjen e dy memorandumeve të bashkëpunimit gjatë vitit që lamë pas, përkatësisht memorandumit me Institutin e Baselit, i cili ka për qëllim forcimin  e sundimit të ligjit dhe avancimit të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe konfiskimit të pasurive të fituara jashtëligjshëm, si dhe për memorandumin me Administratën Tatimore, në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit në shkëmbimin e informacioneve dhe evidentimin e rasteve kur ka mospërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të personave fizikë dhe atyre juridikë që veprojnë në Kosovë, të cilët dyshohen që kanë kryer vepër penale dhe kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme.

Gjithashtu, një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, i cili ka folur për prioritet e tij si Kryesues i KPK-së, në prioritetet e Këshillit në avancimin e sistemit të administrimit të të gjitha niveleve, përfshirë fuqizimin e kornizës ligjore dhe strukturës organizative përkatëse, forcimi i integritetit të sistemit prokurorial (prokurorëve dhe stafit), ngritjen e nivelit të llogaridhënies dhe kontrolli permanent i punës, avancimin e sistemit të vlerësimit të performancës së prokurorëve, ngritjen e nivelit të transparencës, avancimin e kritereve për rekrutim mbi bazë të meritave, zhvillimin e mëtejmë të sistemit të ngritjes në karrierë, përmirësimin e vazhdueshëm të planifikimit, buxhetit dhe kushteve për punë, ngritjen profesionale të prokurorëve dhe stafit administrativ si dhe bashkëpunimin dhe koordinimi me partner vendor dhe ndërkombëtar.

Në anën tjetër, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve, ka thënë se puna e një prokurori është punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. “Suksesi i Prokurorisë është sukses i gjithë shtetit tonë, prandaj të gjithë ne, qoftë përfaqësuesit e institucioneve por edhe të gjithë qytetarët e vendit tonë, duhet të ofrojmë kontributin tonë maksimal për të siguruar institucione të pavarura, kredibile e profesionale të cilat luftojnë krimin e korrupsionin, ruajnë integritetin institucional e mbi të gjitha e bëjnë Republikën tonë një vend të dëshirueshëm për të rritur fëmijët tanë”, ka deklaruar në mes të tjerash u.d Presidentja Osmani.

Ndërkaq, Ministri i Drejtësisë në detyrë, Selim Selimi, ka potencuar se “ne si ministri kemi bërë ndryshim edhe në sistemin e Vettingut, të cilin e kemi bërë bashkë me juve. Ky Vetting do të jetë për ta mbrojtur ndershmërinë e prokurorit dhe për ta mbrojtur prokurorinë. Ne e kemi bërë edhe Rishikimin Funksional, një reformë e thellë në Sistemin e Drejtësisë, që prokurorisë do t’i jap forcë, pavarësi dhe punë”.

Pjesëmarrësve në këtë konferencë me një fjalë rasti ju ka drejtuar edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili, ka kërkuar nga prokurorët që të përqafojnë llogaridhënien duke iu përmbajtur standardit më të lartë ligjor dhe etik.

“Prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri”.

Në anën tjetër, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Prokuroria është një nga shtyllat kryesore të Sundimit të Ligjit. Sipas tij, krijimi dhe ruajtja e një prokurorie efikase, të pavarur dhe llogaridhënëse është proces i vështirë, kompleks dhe i vazhdueshëm. “E dimë mirë se në punën tuaj të përditshme si anëtarë të shërbimit të prokurorisë, ju përballeni me sfida të panumërta. Në përditshmërinë tuaj ju përballeni me Kufizimet prej pandemisë Covid19, presionin prej lëndëve të prapambetura, burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare, zbatimin e Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve dhe ndryshimin e procedurave të punës, mungesën e stafit mbështetës, si dhe rastet e ndikimeve të padrejta ndaj jush dhe lëndëve tuaja”. Përkundër këtyre sfidave, ne vazhdojmë të besojmë në mundësinë e arritjes së rezultateve më të mira.

Duke folur për mbështetjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ka thënë se është kënaqësi që të flas në këtë Konferencë Vjetore të Prokurorëve, me ç’rast ka lavdëruar Kryeprokurorin Lumezi për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Institutin e Bazelit.

 “Zvicra beson se nënshkrimi i Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të z. Lumezi dhe Institutit të Bazelit për Qeverisje do të ndihmoj në përmirësimin e kapaciteteve hetuese të Kosovës. Do të doja të lavdëroj z. Lumezi për këtë iniciativë dhe për udhëheqjen e tij në këtë përpjekje”.

Ndërkaq, Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo, ndër të tjera ka deklaruar se i kupton plotësisht sfidat që vijnë në forcimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë. “Shumicën e kohës nuk ka rregullime të shpejta ose zgjidhje të lehta. Por unë jam e bindur që me angazhimin dhe përkushtimin tuaj, është e mundur të krijoni një sistem efektiv dhe efikas të prokurorisë në të cilin çështjet e vështira si krimi i organizuar dhe korrupsioni i profilit të lartë mund të ndiqen me sukses”.

Në këtë konferencë, përveç fjalimeve, janë mbajtur edhe prezantime mbi aktivitetet e rishikimit funksional, rolin e prokurorëve në politikën ndëshkimore, planin e veprimit të sistemit prokurorial gjatë pandemisë COVID-19 dhe për programin e bursave të Wake Forest.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH