Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prishtinë, 19 tetor 2020 - Fjalimi i Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, me rastin e mbajtjes së “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” - VIDEO

Kam nderin që jam këtu për të shënuar përvjetorin e 11-të të Javës për të drejtat e viktimave të krimit. Fakti që po e regjistroj këtë fjalim e nuk po ju drejtohem drejtpërdrejtë na e përkujton qartazi se ende jemi në mesin e pandemisë të virusit korona. Dëshiroj t’ia filloj duke e përgëzuar Kryeprokurorin e Shtetit dhe tërë zyrën e tij që e përqafuan formatin virtual për këtë ngjarje të rëndësishme. Vendimi i Kryeprokurorit të Shtetit Lumezi për të vënë në radhë të parë shëndetin dhe sigurinë e stafit të tij dhe të pjesëmarrësve të tjerë do të duhej të jetë shembull për të gjitha institucionet e Kosovës.

Këtë javë ua kushtojmë atyre që ia kanë përkushtuar jetën dhe karrierën ndihmës viktimave – prej zyrtarëve policorë që i hetojnë skenat e deri te mbrojtësit e viktimave, prokurorët dhe punëtorët socialë që japin mbështetje gjatë ngjarjeve traumatike. Të gjithë ju jeni heronj në sytë e atyre që ju shërbeni dhe i bashkohem Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, Ministrit të Drejtësisë Selim Selimi dhe Kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Rama për t’ju nderuar.

Edhe këtë vit Kosova sërish ka dëshmuar se iu prin çështjeve për të drejtat e viktimave. Muajin e kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi Konventën e Stambollit, duke ndihmuar kështu në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe të krimeve të tjera gjinore. Më vjen mirë që e shoh se Ministri i Drejtësisë po punon në ndryshimin e Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit për të rishikuar nevojat financiare të viktimave të krimit, e gjithashtu edhe për përpjekjet e Kryeprokurorit të Shtetit për të caktuar prokurorë për rastet e trafikimit të personave për të mundësuar njëtrajtshmëri në trajtimin e këtyre rasteve.

Më lejoni të nënvizoj që respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri të tillë dhe kjo veçanërisht është e vërtetë kur trajtohen të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit. Për këtë arsye, shpesh jam i zhgënjyer kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës. Disa kryes të veprave mbahen në burg e disa të tjerë lirohen. Disa viktima marrin ndihmë e të tjerët lihen të kujdesen vetë për vete. Disa të pandehur akuzohen për shkelje të rëndë, kurse të tjerët, që kanë kryer veprën e njëjtë, përballen me akuzë shumë më të lehtë – disa përballen me dënime të rënda, kurse të tjerët paguajnë gjobë të papërfillshme.

E kuptoj që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në këto raste i dëmton proceset dhe sukseset tuaja. Rrjedhimisht, e dëmton besimin e qytetarëve në qeveri. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të punoni për të siguruar që çdo viktimë, çdo rrethanë, çdo ndjekje penale dhe çdo dënim trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë. Sigurohuni që drejtësia të zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë.

Do të gaboja po të mos e pranoja rritjen alarmuese të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës seksuale në Kosovë dhe nëpër botë prej fillimit të pandemisë. Në mesin e shumë aspekteve tjera, COVID-19 ka potencialin që rrënjësisht të prishë sundimin e ligjit duke kufizuar disponueshmërinë dhe kapacitetet e autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore për të reaguar ndaj këtyre rasteve të rëndësishme. Përveç kësaj, pandemia mund të pengojë procesimin e raporteve penale dhe të rrezikojë zvogëlimin e shërbimeve që ju nevojiten të mbijetuarve, përfshirë në strehimore, spitale, stacione policie dhe gjykata.

Por, siç po e shihni edhe nga kjo ngjarje virtuale – teknologjia mund të jetë vegël e dobishme për të luftuar krimet që shkaktojnë viktima dhe për t’i tejkaluar këto sfida, si gjatë pandemisë, ashtu edhe pas saj. Zyra për Mbrojtjen e Viktimave tashmë është dëshmuar e aftë për tu përballur me këtë sfidë, duke krijuar një sistem shtesë elektronik për menaxhimin e rasteve që mundëson përcjellje më të mirë të rasteve dhe duke vënë në funksion më shumë linja telefonike për dhunë në familje për t’ju shërbyer më mirë viktimave.

Mund të bëhet edhe më shumë: krijimi dhe shfrytëzimi i aplikacionit për të mundësuar raportimin dhe përcjelljen e rasteve përmes internetit; mundësimi i më shumë seancave gjyqësore virtuale ashtu që viktimat të marrin pjesë në seancë pa pasur nevojë të dalin nga shtëpia; si dhe përdorimi i trajnimeve virtuale për të shtuar aftësitë e atyre që mbështesin komunitetin e viktimave. Këto janë vetëm disa ide. Jam i sigurtë se keni edhe shumë ide tjera dhe ju nxis që t’i vini ato në praktikë.

Fundja, madhështia e një populli gjykohet nga mënyra se si ai popull i trajton qytetarët më të brishtë të tij. Prandaj, të gjithë të mbijetuarit që i kanë raportuar rastet, të gjithë ju që e keni shtrirë dorën e kujdesit, si dhe të gjithë ju që keni luftuar për drejtësi, e keni respektin tim – ju po e ndihmoni Kosovën që ta arrijë atë madhështi.

Më lejoni ta përmbylli këtë fjalim me një citat të aktivistit amerikan për të drejta juridike, Brajan Stivensonit (Bryan Stevenson):

„Kam ardhur në përfundim se mënyra e njëmendtë e përkushtimit tonë ndaj drejtësisë, karakteri i shoqërisë sonë, përkushtimi ynë ndaj sundimit të ligjit, drejtësisë dhe barazisë nuk mund të matet me atë se si i trajtojmë të pasurit, të fortët, të privilegjuarit dhe të respektuarit në mesin tonë.

Masa e njëmendtë e karakterit tonë qëndron në mënyrën se si i trajtojmë të varfërit, të pafavorizuarit, të akuzuarit, të burgosurit dhe të dënuarit. Të gjithë implikohemi kur lejojmë keqtrajtimin e të tjerëveˮ.