Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aktakuzë ndaj tre të pandehurve për veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”

Pejë, 21 shkurt 2020 -Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, G.G. dhe B.Th., për veprën penale “Marrje ryshfeti” ,neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK-së, si dhe kundër të pandehurit M.K., për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale”, nga neni 387, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit G.G dhe B.Th., me datë 2 dhjetor të vitit 2019, rreth orës 15:25, në Pejë, si persona zyrtar, Teknik për kontrollin e humbjeve në kompaninë “KEDS”, dega në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, duke mos vepruar sipas detyrave zyrtare, me qëllim të përfitimit, të njëjtit në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej dyqind (200) euro nga i dëmtuari, të pandehurit pasi i marrin të hollat ndalohen dhe arrestohen nga Policia e Kosovës.

Kurse, i pandehuri M.K., me datë 3 dhjetor të vitit 2019, si avokat i të pandehurit B.Th., kishte kanosur dhe ofruar dhurata me qellim që ta nxisë të dëmtuarin që i njëjti t’a ndryshojë deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës dhe të deklarohet rrejshëm në Prokurori dhe Gjykatë, kinse i pandehuri B.TH nuk ka të bëjë me veprën penale “Marrje ryshfeti”.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.

Po ashtu, prokurori i çështjes, krahas dënimit kryesor i ka propozuar gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues.

Për dy të pandehurit, G.G dhe B.TH., ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik, kurse për të pandehurin M.K., ndalimin e ushtrimit të profesionit.

Me respekt,
Shkodran Nikçi
Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH
Prokuroria Themelore Pejë