Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Aksident trafiku me fatalitet në Gjilan

Gjilan, 30 janar 2020 – Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin O.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘’Rrezikim i trafikut publik’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari O.K., më 29 janar 2020, rreth orës 20:10 minuta, në Gjilan, duke drejtuar automjetin e markës ‘’Chevrolet Trailblazer’’, ka shkaktuar vetaksident, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, ku për shkak të kushteve të rrugës, fillon t’i bartet automjeti, del jashtë rrugës dhe godet shyllën elektrike, me ç’rast si pasojë e goditjes lëndohet rëndë pasagjeri i tij, tani i ndjeri A.SH, i cili fillimisht kërkon ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.

I ndjeri pasi merr ndihmën e parë, transferohet për në QKUK, në Prishtinë, me ç’rast gjatë transportit, nga drejtuesi i autoambulancës, në fshatin Bresalc shkaktohet vetaksident, ku lëndime trupore pësojnë drejtuesi i autoambulancës, mjeku, tekniku dhe i lënduari i cili po transferohej. Pas kësaj, të njëjtit transferohen me një autoambulancë tjetër, ndërsa rreth orës 23h, i lënduari, tani i ndjeri A.SH., ndërron jetë në QKUK, në Prishtinë.

Në rastin e parë, ndaj drejtuesit që shkaktoi vetaksident në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, në Gjykatën kompetente në Gjilan, ndërsa rasti i dytë, në të cilin drejtuesi i autoambulancës shkaktoi vetaksident është duke u hetuar dhe është referuar në procedurë të rregullt.