Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori Lumezi: Jemi duke punuar me partnerët ndërkombëtar në forcimin e sundimit të ligjit

Prishtinë, 30 janar 2020 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka marrë pjesë në prezantimin e raportit përfundimtar të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë "Mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.

Në fillim të fjalës së tij, Kryeprokurori i Shtetit ka thënë së ky projekt, por edhe projektet e tjera, janë të një rëndësi të veçantë, sepse kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe në këtë drejtim, jemi duke punuar së bashku me partnerët ndërkombëtar në forcimin e sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe vlerave të demokracisë. 

Me këtë rast, Kryeprokurori Lumezi ka falënderuar bartësit e këtij projekti për punën profesionale dhe kontributin e dhënë në plotësim - ndryshimin e Kodit Penal, atij të Procedurës Penale dhe Ligjit mbi kompetencat e zgjeruara të konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale, duke bërë kështu që tashmë në duart e prokurorëve të jenë instrumente të cilat e lehtësojnë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimin e parave dhe veprave tjera të rënda penale.

Po ashtu, Kryeprokurori i Shtetit, ka folur edhe për konfiskimin e pasurisë, me ç’rast ka deklaruar se të kaluarën nuk ka pasur rezultate të prekshme në sferën e sekuestrimit dhe konfiskimit, dhe në këtë drejtim, “vetëm atëherë kur të bëhet konfiskimi i pasurisë dhe marrja e pushtetit ekonomik nga duart e grupeve kriminale, e dimë që jemi në rrugën e duhur, sepse, çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe terrorizmit qëndron në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme”, ka deklaruar ndër të tjera, Kryeprokurori Lumezi. 

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin bartës të institucioneve të zbatimit të ligjit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të Zyrës së BE-së, organizatave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë.