Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kosova dhe Franca me marrëveshje për luftimin e krimit

Prishtinë, 11 tetor 2010 – Përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit të Kosovës dhe ata të Ministrisë franceze të Drejtësisë nënshkruan të hënën një memorandum mirëkuptimi, për t’i koordinuar përpjekjet në luftimin e krimit të organizuar.

Kryeprokurori Ismet Kabashi tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me lehtësimin e këmbimit ndërkombëtar të informatave në mes të dy shteteve, me qëllim të luftimit më të suksesshëm të krimit të organizuar dhe sidomos me qëllim të këmbimit të përvojave të dy prokurorëve. “Përvojën franceze ne do ta shfrytëzojmë në punën tonë të mëtejme dhe sidomos në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të ketë kompetenca dhe punë Prokuroria Speciale, respektivisht Departamenti i krimeve të rënda i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, tha Kabashi.

Prokuroria e Shtetit, sipas tij, është e interesuar që të nënshkruajë marrëveshje të tilla edhe me shtete të tjera. “Ju njoftoj që deri më tani kemi nënshkruar me Malin e Zi, Kroacinë, Italinë, nesër do të nënshkruajmë edhe me Shqipërinë në Tiranë, dhe besoj se të dy palët do të kenë përfitim prej kësaj marrëveshje”, tha ai.

Ndërsa Maryvonne Caillibotte, nga Drejtoria e Krimeve dhe Faljeve në Ministrinë e Drejtësisë dhe Lirive të Francës, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është një hap i mirë mes Kosovës dhe Francës. Ajo përshëndeti shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo, i cili sipas saj, ka bërë të mundur që kjo marrëveshje të nënshkruhet në mënyrë efikase dhe sa më të shpejtë, që të fillojë të thellohet ky bashkëpunim mes Prokurorisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës.