Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria e Shtetit ka pranuar 133 raste lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Prishtinë, 5 janar 2011 / Më datën 30 dhjetor 2010, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka dërguar Prokurorisë së Shtetit 133 raste, përmes së cilave subjektet politike kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 12 dhjetorit 2010, në Republikën e Kosovës.

Këto lëndë i janë dërguar Prokurorisë së Shtetit, pas kërkesave nga kryeprokurorët e Prokurorive Komunale të Republikës së Kosovës, drejtuar PZAP-it, për dërgimin e të gjitha rasteve, ku subjektet politike kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Nga gjithsej 133 rastet e pranuara nga Prokuroria e Shtetit, 48 raste janë në kompetencë të regjionit të Prishtinës, 26 raste janë në kompetencë të regjionit të Prizrenit, 14 raste janë në kompetencë të regjionit të Pejës, 7 raste janë në kompetencë të regjionit të Gjilanit, 19 raste janë në kompetencë të regjionit të Mitrovicës, 14 raste janë në kompetencë të regjionit të Ferizajt dhe 2 raste janë në kompetencë të regjionit të Gjakovës.

Ndërkaq, 3 raste janë të paidentifikuara se cilit regjion i përkasin, mirëpo Prokuroria e Shtetit pas informatave për identifikimin e tyre se cilit regjion i takojnë, këto raste do t’ua dërgoj prokurorive kompetente.

Më 31 dhjetor 2010, nga Prokuroria e Shtetit, të gjitha këto lëndë u janë dërguar prokurorive kompetente, me qëllim që aty ku ekzistojnë elementet e veprës penale të ndërmerren veprimet konform dispozitave ligjore.

Me kërkesë të kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi, të gjitha këto lëndë nga prokurorët kompetent, do të shqyrtohen me prioritet.