Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi, u takua me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe me kryesuesin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa

Prishtinë, 21 janar 2011 – Sot kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë, zhvilluan takime të ndara pune me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Veldete Daka dhe me kryesuesin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Shukri Sylejmani.

Në këto takime kryeprokurori Kabashi kërkoi që të thellohet bashkëpunimi në mes Prokurorit të Shtetit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kryeprokurori Kabashi, gjithashtu kërkoi nga KQZ-ja dhe PZAP-i që t’ia ofrojnë prokurorëve të gjitha materialet që i kanë, ku dyshohet se ka pasur parregullsi që e kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 12 dhjetor 2010 dhe më 9 janar 2011, në Republikën e Kosovës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Veldete Daka dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, z. Shukri Sylejmani, i premtuan kryeprokurorit Kabashi bashkëpunim të plotë nga ana e tyre.