Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër ish shefit të Inspekcionit Fitosanitarë-Kufitarë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës dhe asistentes së tij, për veprën penale shpërdorim i detyrës zyrtare

Prishtinë, 13 mars  2012 –  Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër  të pandehurit M. X. , ish shef i Inspekcionit Fitosanitarë-Kufitarë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, që vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe të pandehurës E. A. , asistente e shefit të Inspekcionit Fitosanitarë-Kufitarë, të cilët me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë shpërdorur pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar autorizimet, me çka kanë kryer veprën penale  Shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit në bashkëkryerje nga neni 339 par. 3 lidhur me par.1,lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës.

Të pandehurit gjatë periudhës janar-qershor 2010 kanë lëshuar gjithsej 1.789 leje për importin e mallit për 489 kompani private, të cilat kompani kryesisht merren me importin e mallrave të ndryshme ushqimore dhe bimore. Këto kompani i kanë përdorur lejet në pikat kufitare gjatë importimit të mallrave, me ç’rast të pandehurit nga  përfaqësuesit e kompanive kanë kërkuar që pagesat t’i bëjnë në zyrat e tyre me para në kesh për secilën leje në shumë prej 41€ dhe këto para i kanë ndalur për vete. Ndërkaq, lejet nuk i kanë regjistruar në librin e protokollit dhe nuk i kanë paraqitur në raportin financiar - mujor dhe vjetor për vitin 2010, duke përfituar në këtë mënyrë shumën e përgjithshme prej 73.349,00€,  me të cilën shumë e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprën e  kryer penale dhe t’i obligojë që ta kompensojnë buxhetin e Republikës së Kosovës shumën prej 73.349,00€.