Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi, priti sot në takim shefin e Misionit të EULEX-it, z. Xavier de Marnhac, i cili po sot vizitoi edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës

Prishtinë 20 mars 2012 / Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ismet Kabashi, priti sot në një takim pune shefin e Misionit të EULEX-it, z. Xavier de Marnhac.

Në këtë takim u diskutua për fazën nëpër të cilën është duke kaluar sistemi prokurorial i Kosovës, me theks të veçantë për strukturën e re organizative të Prokurorit të Shtetit, e cila strukturë do të filloj së funksionuari nga data 1 janar 2013. 

Në këtë takim po ashtu u diskutua lidhur me strategjinë për ri-strukturimin e misionit të EULEX-it në Kosovë, ku ndër të tjera preken edhe prokuroritë e Republikës së Kosovës dhe kalimi i kompetencave shtese nga fusha e përgjegjësive ekzekutive nga misioni i EULEX-it në prokuroritë e vendit.

Shefi i EULEX-it, De Marnhac ofroi mbështetjen dhe përkrahjen e misionit të EULEX-it për hapat që po ndërmerr Këshilli Prokurorial i Kosovës që nga themelimi i tij.

Z. De Marnhac, gjithashtu ofroi mbështetjen e tij dhe të misionit të EULEX-it lidhur me fazën e plotësimit dhe ndryshimit të ligjeve bazë që ndërlidhen me sistemin gjyqësor dhe prokurorial në vendin tonë e posaçërisht lidhur me kompetencat dhe përgjegjësitë e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Po sot, shefi i Misionit të EULEX-it, z. Xavier de Marnhac mori pjesë edhe në takimin e shtatëmbëdhjetë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, në të cilin takim u morën vendime të rëndësishme, që ndërlidhen me punën e prokurorive të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u miratua Rregullorja për caktimin dhe transferimin e prokurorëve, siç parashihet me nenet 28 dhe 29 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe Planin e Implementimit të këtij ligji. Po ashtu u aprovua edhe plani vjetor i punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në takimin e sotëm, Këshilli Prokurorial të Kosovës, ndër të tjera, mori vendim për nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunimi në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese “BIRN”.