Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, priti në takim kryeprokurorin dhe udhëheqësin e Departamentit të Luftës kundër Narkotikëve në Prokurorinë Publike të Mynihut, Ragnar Schneider

Prishtinë, 27 mars 2012 / Kryeprokurori i Shtetit dhe njëherësh Kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, priti sot në takim një delegacion nga Prokuroria Publike e Mynihut I - Landi i Bavarisë, i kryesuar nga Ragnar Schneider, kryeprokuror dhe udhëheqës i Departamentit të Luftës kundër Narkotikëve në Prokurorinë Publike të Mynihut.

Në këtë takim kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, i njoftoi mysafirët me prioritetet dhe me synimet që ka si kryeprokuror i Shtetit dhe si kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për fazën nëpër të cilën është duke kaluar sistemi prokurorial i Republikës së Kosovës, me theks të veçantë për strukturën e re organizative të Prokurorit të Shtetit, e cila strukturë do të filloj së funksionuari nga data 1 janar 2013.

Në këtë takim u bisedua edhe për punët, sfidat dhe problemet, me të cilat ballafaqohen prokuroritë në të dyja vendet, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar.

Po ashtu në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e bartjes së çështjeve ekzistuese të ndjekjeve penale dhe hetimeve që po zhvillohen kundër shtetasve kosovarë në kuadër të ndihmës juridike, nga organet e drejtësisë gjermane tek organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Delegacioni nga Gjermania, po sot, vizitoi edhe Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ku u prit nga kryeprokurori i kësaj prokurorie Aleksandër Lumezi.