Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS,20 QERSHOR 2014

Prishtinë, 20 qershor 2014 – Është mbajtur takimi i shtatëdhjetedy i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryeprokurori i Shtetit, dhe njëherësh kryetari i Këshillit,  z. Ismet Kabashi.

Gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial shqyrtoi dhe aprovoi Udhëzimin Administrativ për caktimin e rregullave dhe procedurave për shpenzimin e parasë publike në Sistemin Prokurorial. Qëllimi i këtij udhëzimi është shtimi i efikasitetit, përshtatjes së nevojave dhe kushteve të punës në sistemin prokurorial, me synim të zbatimit të drejtë të rregullave financiare me të cilat përcaktohen procedurat dhe veprimet për shpenzimin financiar dhe procedurat lidhur me shpenzimin e parasë publike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte propozimi për shkarkim nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Rexhep Kabashi, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, pasi që mbush moshën e pensionimit. 

Po ashtu, gjatë këtij takimi u bë zëvendësimi i prokurorit të Shtetit z. Rexhep Kabashit, i caktuar nga KPK-ja si anëtar i Komisionit për Ri-shqyrtim me prokuroren e Shtetit, znj. Laura Pula.

Gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial mori vendim që të bëhet kompensimi i anëtarëve të Komisionit për Vlerësim të Performancës së Prokurorëve.

Këshilli Prokurorial shqyrtoi dhe aprovoi në parim akt-dorëheqjen  e anëtarit të deritanishëm të KPK-së, z. Kujtim Kërveshi. Doreheqja e z. Kërveshi nga detyra e anëtarit të Këshillit Prokurorial do të jetë efektive ne ditën kur të emërohet përfaqësuesi i ri i KPK-se nga shoqëria civile. Po ashtu, KPK-ja mori vendim që të shpallet një ftesë publike për shoqërinë civile që në afat prej 15 ditësh t’i propozojnë  KPK-së, pesë emra kandidatë për anëtar të KPK-së.

KPK-ja, aprovoi kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjilan që prokurori Isuf Sadikaj të transferohet në Departamentin për të Mitur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, dhe  prokurori Shqipdon Fazliu të transferohet nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda të kësaj Prokurorie.

Po ashtu, KPK-ja shqyrtoi dhe aprovoi kërkesën e Prokurorisë së Apelit, për kompensim  në të holla rreth kujdestarisë që do ta mbajnë referentët e shkrimores së kësaj prokurorie, dhe atë që nga dt.14.02.2014 e tutje, të cilët do të kujdestarojnë në baza javore, si jashtë orarit të rregullt të punës, ditëve të pushimit javor-vikendeve dhe ditëve të pushimeve për shkak të festave të ndryshme zyrtare-shtetërorë.