Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

MBAHET TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS,21 JANAR 2015

Prishtinë, 21 janar 2015 - Është mbajtur takimi i tetëdhjetepestë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh ushtrues detyre i Kryetarit të Këshillit, Sylë Hoxha.

Gjatë këtij takim u prezantua lista përfundimtare e kandidatëve që kanë plotësuar kriteret e përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara me nenet 3 dhe 4 të Rregullores për kriteret dhe procedurën e nominimit dhe propozimit për emërim të Kryeprokurorit të Shtetit. Në këtë listë janë Kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agron Galani, Kryeprokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Shyqyri Syla, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Aleksandër Lumezi, Prokurorja e Shtetit, Laura Pula, Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka dhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Metush Biraj.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua kërkesa për vazhdimin e mandatit të Institutit të Kosovës për Drejtësi ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës. Anëtarët e Këshillit vendosen së pari të shqyrtohet Memorandum Bashkëpunimi mes IKD-së dhe KPK-së, e më pas t’i vazhdohet mandati këtij Instituti.

Po sot, anëtarët e Këshillit themeluan Komisionin për caktimin e datës për Konferencën e Prokurorëve.

Mes tjerash, Këshilli Prokurorial aprovoi edhe Planin e Veprimit për Raportin e Progresit.

Vlen të theksohet se Këshilli Prokurorial themeloi grupin punues për hartimin e Standardeve për konflikt interesi në KPK.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, Këshilli Prokurorial shqyrtoi kërkesën e punëtorëve të administratës të  Prokurorisë së Apelit, Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, për heqjen e shpenzimeve të udhëtimit, pas transferimit të tyre në Pallatin e Drejtësisë.