Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 25 prill 2017 – Është mbajtur takimi i njëqindetridhjetedy i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial me nëntë (9) vota për dhe një (1) kundër kanë zgjedhur për zëvendës kryesuesit të KPK-së, prokurorin, njëherësh anëtarin e KPK-së, Arben Ismajli. Ismajli në pozitën e zëvendës kryesuesit të KPK-së është zgjedhur për një mandat trevjeçar, ndërsa zgjedhja e tij hyn në fuqi më 27 prill 2017.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së kanë themeluar Komisionin për Rishqyrtim. Komisioni do të udhëhiqet prej Kryesuesit të KPK-së, Blerim Isufaj. E për anëtarë të këtij Komisioni janë caktuar zëvendës kryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina dhe nga Prokuroria e Apelit, Xhevdet Bislimi. Ndërkaq, anëtarë rezervë të Komisionit për Rishqyrtim janë caktuar, anëtarja e KPK-së, Deshire Jusaj dhe prokurori i Prokurorisë së Apelit, Sabri Ademi. Po ashtu, KPK ka vendosur që drejtori i sekretariatit Lavdim Krasniqi, të caktohet Administrator i Rekrutimit dhe provimit për zgjedhjen e 18 prokurorëve të rinj.

Gjatë takimit të sotëm, para anëtarëve të KPK-së kanë raportuar për periudhën tre (3) mujore të këtij viti, zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Sabri Ademi, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku. Po, sot kanë raportuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla, zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Uka, kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, raporte këto të cilat u aprovuan me disa vërejtje dhe sugjerime të dhëna nga anëtarët e KPK-së. Ndërsa për takimin e radhës kanë mbetur të raportojnë kryeprokurorët e prokurorive Themelore të Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit.

Anëtarët e KPK-së po gjatë këtij takimi, kanë autorizuar Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, për nënshkrimin e një Memorandum të Mirëkuptimit në mes të KPK-së dhe KGJK-së.