Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 16 maj 2017 – Është mbajtur takimi i njëqindetridhjetetre i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial, kanë shqyrtuar dhe aprovuar Rregulloren Nr.03/2017, për Komisionin për Administrimin e Prokurorive, rregullore kjo e cila përcakton organizimin, përgjegjësitë dhe funksionimin e Komisionit për administrimin e prokurorive, si Komision i Përhershëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë shqyrtuar dhe aprovuar Raportin e Komisionit mbikëqyrës për periudhën kohore janar - mars 2017, për zbatimin e planit strategjik dhe të veprimit në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, me sugjerimet e dhëna nga anëtarët e KPK-së.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi u shqyrtua dhe aprovua Raporti i Mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike, i prezantuar nga Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, Lavdim Krasniqi.

Po sot, anëtarët e Këshillit Prokurorial shqyrtuan dhe aprovuan Raportin e Grupit Punues për monitorim dhe vlerësim të zbatimit të Planit Strategjik 2016-2018 të Këshillit për periudhën janar – mars 2017.

Anëtarët e KPK-së morën vendim që pagesat e stafit mbështetës për angazhimin në detyra shtesë të bëhen sipas ligjit.

Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte raportimi i kryeprokurorëve të prokurorive Themelore të Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit, për periudhën janar-mars 2017. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala dhe zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Arben Kadriu, raportuan para anëtarëve të Këshillit për pikat si: ndarja e lëndëve, regjistrimi i rasteve, vlerësimi i performancës, komunikimi i brendshëm dhe ndërinstitucional, plani vjetor për menaxhimin e lëndëve si dhe trajnimi i prokurorëve, raporte këto të cilat u aprovuan nga anëtarët e KPK-së.