Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Është mbajtur takimi i radhës së Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 4 shtator 2017- Sot është mbajtur takimi i njëqindetridhjeteshtatë (137) i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi i këtij Këshilli, Blerim Isufaj.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial kanë shqyrtuar dhe diskutuar tre raporte të rëndësishme për sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës. Janë shqyrtuar dhe analizuar: Hulumtimi lidhur me ngarkesën me lëndë për veprat penale karakteristike për vitet 2013-2016; Analiza për veprat penale karakteristike për vitet 2013- 2016, si dhe Raport i gjeografisë kriminale për vitet 2013-2016.

Pas diskutimeve për secilin raport, shqyrtimit dhe analizimit të tyre që të tre raportet u aprovuan unanimisht nga anëtarët e KPK-së.

Kryesuesi i  Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, informoi të pranishmit se para paraqitjes për miratim në Këshillin Prokurorial të Kosovës të këtyre raporteve  anëtarët e KPK-së kanë mbajtur një tryezë pune ku kanë diskutuar paraprakisht  lidhur me të gjeturat e raporteve, si dhe kanë dalë me rekomandime të përbashkëta për tri raportet, të cilat rekomandime kryesuesi Isufaj i paraqiti para të pranishmëve.

Dhjetë rekomandimet e përbashkëta për tri raportet edhe në këtë takim u shqyrtuan dhe analizuan nga anëtarët e KPK-së, të cilët unanimisht aprovuan 9 rekomandime, ndërkaq një vendosën ta diskutojnë në takimin e radhës.

Rekomandimet e dala për të tre raportet janë si në vijim:

 

  1. 1.    Hartimi i strategjisë për zvogëlimin e ngarkesës me të gjitha lëndët e veprave penale karakteristike të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional: 2018-2020.
  2. 2.    Themelimi i grupit punues për plotësim ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për normën orientuese vjetore, me theks të veçantë në kategorizimin e veprave penale me ndëlikushmëri dhe përcaktimi i kuotës së pëllogaritjes së tyre;
  3. 3.    T’i rekomandohet Akademisë së Drejtësisë të hartoj korrikulla trajnuese për ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve, të cilët trajtojnë lëndët e veprave penale karakteristike të Mekanizmit Përcjellës Ndërinstitucional;
  4. 4.    Komisioni mbikëqyrës për korrupsion dhe krime ekonomike, të verifikoj të gjitha lëndët e Informatave PPN për Korrupsion dhe Krime ekonomike në të gjitha prokuroritë, me qëllim të trajtimit më efikas dhe efektiv;
  5. 5.    Rekomandohet Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve që gjatë vlerësimit të prokurorëve si pjesë të planit të vlerësimit t’i ketë rastet e hudhjeve dhe pushimeve të kallëzimeve penale për veprat penale të mekanizmit përcjellës, veçanërisht ato të korrupsionit dhe krimit ekonomik.
  6. 6.    Në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë të krijohet Njësiti për trajtimin e lëndëve të Drogave, Korrupsionit dhe Krimeve ekonomike , në përbërje prej pesë (5) prokurorëve;
  7. 7.    Grupi i veprave penale të Trafikimit me Qenie Njerëzore, në të cilin momentalisht bën pjesë vetëm një vepër penale (neni 171), të përfshihen edhe gjashtë (6);
  8. 8.    Vendim me të cilin obligohet Drejtori i Sekretariatit dhe NJSHPP-së që të caktojnë një zyrtar i cili në baza mujore do të gjeneron të dhëna mbi arritshmërinë e normës orientuese të të gjithë prokurorëve, duke përfshirë kalkulimin sipas ndërlikueshmërisë së lëndëve (sipas Udhëzimit Administrativ, të rishikuar, për normën orientuese vjetore).
  9. 9.    Këshilli Prokurorial i Kosovës, të caktoj një anëtar të saj për mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të KPK-së dhe në takimet e KPK-së të raportoj për zbatimin e obligimeve nga ana e përgjegjësve të përcaktuar nga KPK-ja dhe të rekomandoj masa për mos zbatimin e rekomandimeve të KPK-së;

 

Lidhur me rekomandimin e nëntë anëtarët e KPK-së unanimisht caktuan anëtarin e saj Bahri Hyseni për mbikëqyrjen e zbatimit të rekomandimeve të KPK-së.

Poashtu gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së aprovuan kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për vazhdim të afatit për transferim të prokurorit Agron Qalaj nga Prokuroria Themelore në Ferizaj në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi anëtarët e KPK-së aprovuan edhe kërkesën e kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, për transferimin e një lënde nga prokurori vendës tek një prokuror i EULEX-it, pasiqë në këtë lëndë të dyshuarit janë staf i EULEX-it dhe për këtë nuk ka kompetencë Prokurori i Shtetit t’i kryej hetimet.

Në fund të takimit anëtarët e KPK-së shqyrtuan raportin e  komisionit për trajtimin e rastit të ish kryeprokurorit të Shtetit Hilmi Zhitija, për të cilin unanimisht morën vendim që KPK të refuzoj kërkesën e ish kryeprokurorit të Shtetit Hilmi Zhitija, të datës 1 gusht 2012, për përfitimin e statusit të ish zyrtarit të lartë, me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore.

Me dyer të mbyllura anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë diskutuar sot edhe për raportin e vlerësimit të performancës së 4 prokurorëve dhe për një rast disiplinor.