Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Këshilli Prokurorial diskuton me institucionet vendore për zbatimin e rekomandimeve të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës (CTP)

Prishtinë, 3 maj 2024     

Nën organizimin e Institucionit të Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, sot është mbajtur një tryezë e rrumbullakët për të diskutuar për zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen e rekomandimeve të Komitetit për Parandalimin e Torturës (CPT) i Këshillit të Evropës, në të cilin mori pjesë Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli.

Me këtë rast, gjatë fjalës së saj të rastit, znj.Grantolli, ka theksuar se Këshilli  Prokurorial i Kosovës ka përmbushur të gjitha rekomandimet e dhëna nga Komiteti për Parandalimin e Torturës dhe është i gatshëm që të kontribuojë në çfarëdo forme që kërkohet dhe të ndërveprojë me të gjitha institucionet relevante, kurse sipas pjesëmarrësve të tjerë në këtë tryezë, nënvizuan se zbatimi i këtyre rekomandimeve është arritje në rrugën e integrimeve evropiane dhe shënon përparimin e respektimit të të drejtave të njeriut në vendin tonë.

Rrjedhimisht, Komiteti për Parandalimin e Torturës i Këshillit të Evropës (CPT) ka dhënë 100 rekomandime dhe ka parashtruar 14 kërkesa për informata nga autoritetet kosovare, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, kurse takimi i radhës do të mbahet më 28 maj 2024.