Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Rritja e efikasitetit në trajtimin e lëndëve, përfshirë rastet e dhunës ndaj grave, temë diskutimi e Kryesuesit Hajdaraj me kryeprokurorët e prokurorive në Gjakovë dhe Prizren

Prishtinë, 3 maj 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj, vazhdoi aktivitetet e parapara në kuadër të iniciativës për t’i vizituar prokuroritë e vendit, me ç’rast sot vizitoi Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe Prokurorinë Themelore në Prizren, ku është pritur nga kryeprokurorët i këtyre prokurorie, z.Enis Gashi dhe z.Admir Shala, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre.

Në të dyja takimet e zhvilluara në Gjakovë dhe në Prizren, kryeprokurorët e këtyre prokurorive themelore, njoftuan Kryesuesin Hajdaraj për aktivitetet dhe proceset e zhvilluara të punës në tremujorin e parë të vitit 2024 dhe adresuan sfidat dhe vështirësitë gjatë hetimit dhe ndjekjes së veprave penale në territorin që kanë në kompetenca të tyre.  

Kryesuesi i KPK-së falënderoi kryeprokurorët e prokurorive themelore në Gjakovë dhe Prizren, me ç’rast theksoi se vizitat e tij në prokuroritë e vendit kanë për qëllim njohjen nga afër të proceseve aktuale të punës dhe diskutimin e nevojave për zbatimin e mandateve të tyre kushtetuese dhe ligjore, si dhe ka nënvizuar me fokus të veçantë angazhimin për vazhdimin e trajtimit me prioritet të rasteve të dhunës në familje, sidomos të dhunës ndaj grave.

Z.Hajdaraj, z.Gashi dhe z.Shala u pajtuan për koordinimin e plotë të aktiviteteve të përbashkëta për zbatimin e planeve të punës së këtyre prokurorive për vitin 2024, duke potencuar edhe për angazhimin e Këshillit për krijimin e kushteve sa më të favorshme të punës, të cilat do të ndihmonin avancimin e sundimit të ligjit.