Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Këshilli Prokurorial i Kosovës merr pjesë në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian

Prishtinë, 2 maj 2024

Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj.Jehona Grantolli, ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në të cilin ishte në rendin e ditës diskutimi për Planin e reformave në kuadër të Planit të ri të BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe reformat e Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028.

Në këtë mbledhje, Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj.Jehona Grantolli, raportoi për aktivitetet e Këshillit Prokurorial, duke potencuar angazhimin e shtuar për përmbushjen e 11 masave, në mesin e të cilave 4 janë të natyrës legjislative dhe 7 të natyrës zbatuese, një pjesë e të cilave do të trajtohen dhe miratohen së shpejti në KPK.

Ndër të tjera, në mbledhjen e sotme është diskutuar edhe për Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të BE-së për rritje ekonomike, Këshilli Prokurorial, konfirmoi se ka dhënë kontribut, duke punuar në bashkëpunim me institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë për realizimin e këtij plani dhe është i gatshëm e i përkushtuar për të realizuar obligimet që merr përsipër për mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit.

Gjithashtu, në këtë takim, znj.Grantolli, nënvizoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve të veta, në mënyrë që të realizohen reformat e nevojshme sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore dhe se KPK-ja është e përkushtuar edhe ndaj perspektivës evropiane dhe procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.