Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Reagim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë

 

Prishtinë, 16 prill 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përcjellë me vëmendje emisionin e mbrëmshëm në “Debat Plus me Ermal Pandurin”, dedikuar dyshimeve për ngacmim seksual të profesorit Xh.K., andaj ka parë të arsyeshme të reagojë lidhur me akuzat të cilat janë hedhur në drejtim të prokurorit të kësaj prokurorie, Blerim Igrishta, të cilat janë të papranueshme dhe denigruese për figurën e Prokurorit të Shtetit, e aq më tepër kur veprimet ligjore të ndërmarra në bazë të kompetencave të plota të prokurorit në fjalë ndërlidhen me një rast disiplinor, i cili është zhvilluar ndaj tij, si dhe kallëzimit penal, në të cilat raste nuk është gjetur as përgjegjësi disiplinore e as përgjegjësi penale ndaj të njëjtit. Po ashtu, me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, prokurori në fjalë nuk është duke e trajtuar këtë çështje, në periudhën kur veprimet ligjore janë ndërmarrë sipas detyrës zyrtare kanë rezultuar në kohën kur ka qenë prokuror kujdestar.

Për më tepër, ju njoftojmë edhe njëherë se pas publikimit të informatave në media mbi dyshimet për ngacmim seksual të profesorit Xh.K., Prokuroria Themelore në Prishtinë sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Ngacmimi seksual”, sipas KPRK-së dhe ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u zhvilluar veprime hetimore në koordinim me policinë e njësitë relevante. Deri më tani janë intervistuar 11 persona, ndërkaq ditëve në vijim do të intervistohen edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.