Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria Themelore në Prishtinë inicion rast ndaj personit juridik për punime pa pajisje mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës

 

Prishtinë, 4 prill 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se, në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Punës për vitin 2024 të kësaj prokurorie, më konkretisht pikës së paraparë për sigurinë në punë, gjatë ditës së djeshme, sipas detyrës zyrtare, ka identifikuar një objekt në Hajvali, në të cilin po kryhen punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Koordinatori për rastet e veprave penale që ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës njëheri prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, prokurori kujdestar, Inspektorati i Punës dhe policia me njësitë përkatëse, ku nga vendi i ngjarjes kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe sigurinë në punë, si dhe parandalimin e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 të KPRK-së.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj personit përgjegjës si person juridik, në drejtim të veprës penale Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 të KPRK-së, ndërsa, me vendim të Inspektoratit të Punës, janë ndaluar punimet në këtë objekt deri në një vendim të radhës.

Prokurori i Shtetit është i përkushtuar dhe do të vazhdojë që përmes bashkëpunimit me Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera shtetërore të ndërmerre veprime në saje të kompetencave ligjore, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe edukimit të shoqërisë, si dhe parandalimit të veprave penale të kësaj natyre.