Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

NJOFTIM NGA ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT

Me rastin e liberalizimit të vizave dhe me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit publikon dispozitën e nenit 164 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili ka të bëjë me kontrabandimin me migrantë, në veçanti, paragrafi 10 i këtij neni, që flet për abuzimin me regjimin e liberalizimit të vizave për shtetet e Bashkimit Evropian ose me Marrëveshjen Shengen, si më poshtë:

 

Neni 164

Kontrabandimi me migrantë

 

10. Kushdo që abuzon me regjimin e liberalizimit të vizave me shtetet anëtare të BE-së ose me

Marrëveshjen e Shengenit dënohet si më poshtë:

 

10.1. personi i cili rekruton, nxit, organizon, strehon ose bart persona në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ose në ato të Marrëveshjes Schengen, me qëllim të realizimit dhe të përfitimit ekonomik, social ose të të drejtave të tjera, që janë në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me rregullat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të Marrëveshjes Schengen dhe të së drejtës ndërkombëtare, dënohet së paku me katër (4) vjet burgim;

 

10.2. nëse personi vepron në kundërshtim me nënparagrafin 10.1 dhe/ose ka qene në dijeni se me bartjen do të realizohen përfitime ose ndonjë të drejte nga nënparagrafi 10.1, në kundërshtim me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe me rregullat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të Marrëveshjes Schengen dhe me të drejtën ndërkombëtare, dënohet prej një (1) deri në pesë (5) vjet burgim;

 

10.3. nëse vepra është kryer për përfitime personale, kryesi do të dënohet për veprën, sipas nënparagrafit 10.1, me burgim, së paku tetë (8) vjet, ndërsa për veprën e kryer, sipas nënparagrafit 10.2, do të dënohet së paku me katër (4) vjet burgim;

 

10.4. nëse vepra është kryer nga personi juridik, do të dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë euro (500.000);

 

10.5. pajisjet dhe mjetet transportuese të përdorura për kryerjen e kësaj vepre do të konfiskohen.

 

10.6. ky paragraf fillon të zbatohet në momentin kur Këshilli i Bashkimit Evropian merr vendim për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.