Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë formojnë njësinë e përbashkët hetimore

 

Prishtinë, 10 tetor 2023 – Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës  së Kosovës, Blerim Isufaj dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Altin Dumani, kanë nënshkruar sot marrëveshje me të cilën kanë formuar njësinë e përbashkët hetimore, të përbërë nga prokurorë të të dyja prokurorive përkatëse.

Qëllimi i nënshkrimit të kësaj marrëveshje në mes të dy krerëve të institucioneve të ndjekjes parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.

Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani, nënshkrimin e kësaj marrëveshje  e kanë vlerësuar të rëndësishëm duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë.

Nënshkruesit e marrëveshjes, u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të të dyjave vendeve.