Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Konferenca vjetore e prokurorëve

E nderuara Shkëlqësia juaj, Presidente e Republikës së Kosovës, Z. Jahjaga,
I nderuari, Ambasador Delawie,
I nderuari Z. Zhbogar, Z. Shlumberger, Z. Kuçi, Z. Peci, Z. Claudio, Z. Peter
Të nderuar ambasadorë, kolegë dhe pjesëmarrës,

Fare në fillim gjej rastin të përshëndes prokurorët e Shtetit, anëtarët e KPK-së dhe punonjësit që i shërbejnë sistemit prokurorial.

Është kënaqësi e veçantë të jemi së bashku sot në Konferencën vjetore të prokurorëve, në këtë takim të rëndësishëm që ka institucioni i organit të akuzës, ku të gjithë jemi mbledhur përveç tjerash edhe për të zgjedhur anëtarët e rinj tëKPK, të këtij organi shumë të rëndësishëm që do të funksionojë në mënyrë të vazhdueshme sa do të funksionojë organi i akuzës.

Fakti që sot këtë konferencë të Prokurorëve të Shtetit është duke e mbështetur dhe ndihmuar financiarisht Departamenti i Drejtësisë të Ambasadës së SHBA, na jep të drejtë për të besuar se bashkëpunimi ynë në të ardhmen do të jap rezultatet konkrete në ndërtimin e shtetit ligjor.
Sot, për herë të parë po i drejtohem kësaj konference në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit, është kjo një mundësi që të njihemi më mirë dhe t’i caktojmë objektivat për periudhën e ardhshme. 12 muaj deri në konferencën e ardhshme është periudhë e shkurtë por njëkohësisht edhe e mjaftueshme, brenda të cilës mund të bëhen lëvizje të caktuara, por edhe për të rishikuar rezultatet e punës që kemi bërë, në mënyrë që të marrim përgjigje në pyetjen: A i kemi realizuar objektivat?

Ju them se sfidat që kemi përballë janë reale, ato janë serioze dhe janë të shumta, ato nuk do të kapërcehen me lehtësi apo në një kohë të shkurtë, por duhet të besojmë se do tia dalim, sepse ne kemi zgjedhur ndryshimin si formë e funksionimit duke ndryshuar thelbin dhe forcuar vetëdijen e çdo prokurori për rëndësinë e rolit të tij në shoqëri.Ajo që kërkohet nga ne është një epokë e re e përgjegjësisë sepse kemi shumë detyra para nesh, vendit dhe partnerëve ndërkombëtar.

Prandaj, duhet të vazhdojmë punën së bashku për t’i treguar njëri tjetrit se kemi vendosshmëri dhe vullnet për të krijuar një sistem të drejtë, që ju kemi borxh edhe fëmijëve tanë, pa harruar asnjëherë se duhet të jetë liria dhe jo mungesa e saj rruga për të mbrojtur të drejtat enjeriut  dhe baraspeshuar atë me të drejtën e shtetit për të hetuar dhe ndjekur.

Ju keni një detyrë të cilën dita ditës duhet ta forconi, duhet të bëheni të ndërgjegjshëm se nuk mund të ketë më prokurori joefikase, joprofesionale, të politizuar, të influencuar, që asgjë nuk ka përfunduar, gjithçka është në zhvillim, simptomet e këtyre proceseve janë shumë të dukshme, shpesh herë bëhen shqetësuese për ne, por edhe për qytetarët dhe opinionin publik.

Kërkoj nga të gjithë ju prokurorët e Shtetit, angazhim maksimal në luftën kundër krimit të organizuar  korrupsionit dhe terrorizmit, jemi të vetëdijshëm që sfidat që i ka Kosova në luftën kundër këtyre dukurive janë sfida që do të na shoqërojnë gjatë gjithë procesit tonë për anëtarësimin në strukturat e Bashkimit Europian dhe roli i prokurorisë  në drejtim të rritjes së efikasitetit të kësaj lufte është vendimtar.

Prokurorët gjatë hetimit të rasteve të korrupsionit duhet të jenë më efikas, mos t’i kapim çështjet post factum ose post mortum kur njerëzit të kenë ikur nga kjo botë. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të përkushtuar në shqyrtimin dhe vlerësimin e kallëzimeve penale duke verifikuar me hollësi të dhënat e kallëzimit dhe më pas përpilimi i akuzave të jetë i mbështetur në prova dhe nga gjithë ju kërkoj një përfaqësim sa më dinjitoz të akuzës në proceset gjyqësore dhe një rol më aktiv në shqyrtimin e çështjeve para gjykatës.

Jam i vetëdijshëm se barra kryesore për luftimin e krimeve më të rënda bie te PSRK, mirëpo unë shpresoj në këtë prokurori dhe kjo shpresë është duke u mbështetur në ngritjen e akuzave gjatë muajve të fundit për korrupsion, krim të organizuar dhe terrorizëm, por nga ju pres edhe më shumë, sepse ju me rezultate të mira mund ta ktheni besimin e qytetarëve dhe ti siguroni ata se ne dëshirojmë të krijojmë një shtet ku krimi ndëshkohet dhe puna paguhet.
Duke dashur t’iu siguroj mbështetjen time të plotë dhe t’ju inkurajoj të gjithë juve për një mobilizim të mëtejshëm në punën tuaj, ju ftoj të reflektoni në ato parametra që masin rëndësinë e kontributit tuaj dhe që çojnë në rritjen e efikasitetit sidomos në luftën kundër korrupsionit, e keqe kjo që është duke rrezikuar sigurinë dhe drejtësinë. Ne e kemi rastin të bëhemi heronj të këtij vendi, nuk i referohem vetëm barrës së rëndë të përgjegjësisë që ju keni por edhe gadishmërisë dhe guximit profesional për të zhvilluar hetime dhe për të marrë vendime të duhura si shenjë e ndërgjegjes së fortë.

Ju duhet ti siguroni qytetarët se hetimet do të zhvillohen në mënyrë objektive, të plotë dhe të gjithanshme me qëllim që asnjë fajtor të mos i shmanget përgjegjësisë penale, nga ana tjetër duhet ti siguroni të gjithë qytetarët që nuk do të merren në përgjegjësi penale në mënyrë të padrejtë. Në këtë drejtim dua të them se nuk do të lejojmë askend të jetë viktimë e paragjykimeve, mirëpo ligjshmëria nuk do të braktiset për hir të askujt.

Të gjithë duhet të jeni të vetëdijshëm se besimi, sinqeriteti dhe komunikimi në mes të prokurorëve, kryeprokurorëve dhe Kryeprokurorit të Shtetit duhet të forcohet, kjo është gjëja më e rëndësishme në organet që veprojnë në mënyrë vertikale, çfarë me ligj është i përkufizuar edhe Prokurori i Shtetit, padyshim që duhet edhe të respektohet në këtë menyrë që të forcohet autoriteti, personaliteti, vetëm kështu do të kemi një prokurori të organizuar dhe të respektuar. Detyra do të jetë e imja për tju bërë më të respektuar, detyra për të hetuar dhe akuzuar brenda kornizave ligjore do të jetë e juaja.Unë sdo ta harrojë këtë por mos e harroni as ju, jo për mua por për të mirën e qytetarëve të vendit tonë.

Të gjithë ne së bashku duhet të përpiqemi që në adresë të Prokurorisë së Shtetit të vijnë një numër sa më i vogël i kritikave të justifikuara, them të justifikuara pasi që jemi dëshmitarë se do të ketë gjithmonë persona të pakënaqur të cilët do të presin që prokurorët të punojnë ashtu siç ata e kanë paramenduar. Përderisa zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit e keni në rend të parënuk keni nevojë të shikoni prapa në opinionet e tilla që vijnë jashtë sistemit tonë.

Kur bëhet fjalë për kritikat e justifikuara ju përkujtoj se gjatë viteve të mëhershme është folur më së shumti për mungesë të raportit proaktiv të prokurorëve, procesimit të lëndëve të korrupsionit, transparences,llogaridhënies dhe pavarësisë së pamjaftueshme të prokurorëve.Jeni dëshmitarë se gjatë këtij vitinë këto drejtime janë arritur lëvizje të dukshme.Nevojitet të bëhen lëvizje edhe më të mëdha.Ju nuk duhet të pritni nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit t’iu jepen informacione dhe udhëzime për verifikimin e rasteve të caktuara të cilat janë objekt i interesimit të mediave. Këtë mund ta bëni edhe vet, ashtu siç mund të vendosni afatet për grumbullimin e disa informatave të caktuara, në mënyrë që të mos fshiheni pas faktit se nga disa organe të tjera shtetërore nuk i merrni shënimet e kërkuara. A duhet t’iu përkujtoj se prokurori i shtetit i kryen hetimet?

Më duhet të theksoj se të gjithë ju mund të llogaritni në ndihmën konkrete të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nga kryeprokurorët pres që maksimalisht të bashkëpunoni por që edhe vet të iniconi marrëdhënie me partnerë që munden vetëm të kontribojnë  në përmirësimin e punës. Jemi të hapur për sygjerime, por do të dijmë të bëjmë dallimin në mes të mendimit të ekspertit dhe ekperimentit, në mes të nevojave politike dhe kërkesave të drejtësisë, në mes të sygjerimit qëllimmirë dhe ndikimit të pazbatueshëm. Ne do të kryejmë funksionin tonë, ashtu do të jetë edhe në të ardhmen, në bazë të Kushtetutës dhe ligjit dhe në bazë të marrëveshjeve të konfirmuara ndërkombëtare.

Si Kryeprokuror i Shtetit mund të konstatoj se deri më tani është bërë mjaft, para se gjithash është rritë numri i prokurorëve në zyren e Kryeprokurorit të Shtetit, gjithashtu është rritur numri i prokurorëve të instancës së pare. Kemi pasur rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe konfiskimit të pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme, dhe vetëm gjatë 9 muajve të këtij viti vlera e pasurisë së sekuestruar kap një shumë prej rreth 20 milion euro. Gjatë kësaj periudhe 9 mujore janë zgjidhur 24,310 lëndë penale të  natyrave të ndryshme në mesin e këtyre kemi zgjidhur 215 raste të korrupsionit me 490 persona, nga të cilat për herë të parë në Kosovë janë ngritë 10 aktakuza të nivelit të lartë të cilat kanë qenë të shënjestruara si top-raste. Për herë të parë kemi lansuar strategjinë për reduktimin e lëndëve nëpërmjet zbatimit të procedurave alternative, ku për 9 muaj kemi zgjidhur 1277 raste me marrëveshje të fajësisë dhe 788 raste me ndërmjetësim.

Më lejoni të ju informoj se krahas rezultateve të cekura gjatë vitit 2015 po punojmë fuqishëm së bashku me Ministrinë e Drejtësisë edhe për ligjin e ri Anti Mafia që lejon konfiskimin e pasurisë së paligjshme edhe pa aktgjykim dënues dhe ky ligj do të jetë një mjet i fuqishëm në duart tona për një luftim më efikas të korrupsionit, krimeve ekonomike dhe financiare  dhe krimeve tjera që gjenerojnë përfitime pasurore.

Kemi aprovuar strategjinë për vitin 2016-2018 dhe planin e veprimit për luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike ku kemi paraparë themelimin e njësitit antikorrupsion në PTH të Prishtinës.Jemi duke punuar edhe në hartimin e strategjisë për krimet e dhunës seksuale si dhe në strategjinë kundër trafikimin me qenie njerëzor.Gjithashtu jemi duke dhënë kontribut në hartimin e akteve nënligjore që derivojnë nga ligji për kompensimin e viktimave të krimit. Është krijuar Departamenti për krime të luftës, i cili së shpejti edhe do të funksionalizohet,kemi treguar rezultate edhe në luftimin e terrorizmit icili nuk është vetëm në kornizat e një trajtimi nacional por është transnacional. Kjo është arsyeja që Institucioni i Prokurorit të Shtetit duhet të bashkëpunojë me shtete fqinje por edhe me shtete tjera. Kemi lidhur ura të bashkëpunimit me shumë prokurori të shteteve tjera, jemi në procesin e integrimit të minoritarëve, kemi përmbushur kriteret kryesore për nënshkrimin e MSA-së. Është rritur bashkëpunimidhe koordinimindërinstitucional për zbatimin e ligjit.Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, jemi duke realizuar shumë projekte të cilat do të ndikojnë në ngritjen e efikasitetit dhe të profesionalizmit.
Kemi rritur bashkëpunimin me misionin e EULEX-it, është formuar grupin punues për transferin e lëndëve nga EULEX-i teprokurorët vendor. Janë miratuar aktet nënligjore për funksionalizmin e KPK-së dhe komisioneve të KPK-së.Sot do të zgjedhim edhe anëtarët e rinjtë KPK-së nga rradhët e prokurorëve.

Kur bëhet fjalë për transparencë jemi dëshmitarë se kemi arritur rezultate të dukshme.Marrëdhënia profesionale me media por edhe me gjithë opinionin nuk është vetëm obligim por edhe nevojë e institucioneve.Që nga vet fillimi përpiqem që komunikimi me opinionin të zhvillohet kryesisht përmes rrugëve zyrtare.Sado që këtë e konsiderojmë si obligim shtesë, duhet të kuptoni se bëhet fjalë për njënevojë të kësaj kohe.

Janë të numërta detyrat para nesh. Jam i vetëdijshëm se ato do të realizoheshin më lehtë përmes kushteve më të mira të punës dhe rritjes së buxhetit. As këto nuk mund të kërkohen pa bazë, sa më të mira të jenë rezultatet aq më shumë do të kemi bazë që të kërkojmë mjete buxhetore për të siguruar një ambient më të mirë dhe më të lehtë për punë. Derisa kjo nuk ndodhë ju përkujtoj se kushtet e punës dhe numri i vogël i prokurorëve nuk duhet të jenë arsyetim për punë joprofesionale. Nëse dikush nga ju e kupton ndryshe funksionin e vet, atëherë kjo nuk është mirë për sistemin prokurorial. Kush nuk është i gatshëm për të ndryshuar këtë vetëdije ndoshta është më mirë që vetë të ndryshojë profesionin.

Më lartë kam konstatuar se gjatë këtyre muajve është bërë mjaft.Nuk e di se në rrethana kosovare ka ndonjë institucion që kapunuar më shumë në këto 9 muajt e fundit.Kjo megjithatë nuk do të thotë se jam i kënaqur me punën e bërë. Secili nga ne vetë e ka zgjedhur profesionin me të cilin do të merret e ky profesion përveç njohurisë profesionale, përsosjes së vazhdueshme, nënkupton edhe heqje dorë nga shumë çka tjetër. Dëshiroj të besoj se ju jeni të vetëdijshëm për këto fakte, nëse nuk jeni atëherë kemi vështirësi të cilat do t’i zgjedhim bashkarisht me qëllim të funksionimit sa më të mirë të sistemit prokurorial.

Në fund kërkoj që angazhimi juaj dhe i anëtarëve të rinjë të KPK të jenë në funksion të moralit të pastërt, të profesionalizmit dhe rritjes së besimit qytetar në sistemin prokurorial.

Ju falenderoj për vëmendjen tuaj dhe njëherit ju uroj punë të mbarë në këtë konferencë!