Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të programit për trajnimin fillestar

25 maj 2015, Hotel “Emerald,” Prishtinë

Shkëlqesia Juaj, Presidente e Republikës Jahjaga,
Shkëlqesia Juaj Ambasadore Jacobson,
I nderuari  z. Zhbogar,
I nderuari  Ministër Kuçi,
Të nderuar  kolegë gjyqtarë dhe prokurorë,
I nderuari  z. Krasniqi,
Kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë,
Të nderuar pjesëmarrës
 
Është një kënaqësi e veçantë që sot jemi së bashku  në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar programin për trajnimin fillestar pranë Institutit Gjyqësor të Kosovës.

Në emër të sistemit prokurorial shfrytëzoj rastin  të falënderoj  të gjithë ata prokurorë, gjyqtarë, ekspertë si dhe menaxhmentin e personelin e Institutit Gjyqësor të Kosovës që kontribuuan në përgatitjen profesionale të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë.

Po ashtu, dua të uroj dhe përgëzoj të gjithë kandidatët që kanë kaluar me sukses këtë trajnim dhe me ketë kanë plotësuar edhe një kriter ligjor për të aplikuar  në pozitën e prokurorit apo të gjyqtarit.

Kjo ngjarje që sot po shënojmë, tregon se ka shpresë për ndryshime pozitive në ngritjen e kapaciteteve të sistemit prokurorial përmes Institutit Gjyqësor të Kosovës, i cili ka arritur që me sukses të zbatojë programin e trajnimit dhe përgatitjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm.

Me këtë rast dua ta inkurajoj Institutin Gjyqësor që të vazhdojë të ofrojë trajnime kualitative për të gjithë prokurorët, si dhe shprehë përkushtimin tim si Kryeprokuror dhe përkushtimin e Këshillit Prokurorial që të ofrojmë bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer në këtë drejtim.

Sistemi prokurorial vetëm mund të përfitojë nga trajnimet sikurse ky, i organizuar nga Instituti Gjyqësor i Kosovës, sepse mungesa e kuadrove mund të cilësohet si sëmundje kronike,  e cila ka ndikuar në efikasitetin e punës tonë.

Sot, në sistem kemi të angazhuar 139 prokurorë nga 171 pozita të lejuara, në bazë të analizave, sistemit prokurorial i duhen së paku 210 pozita për prokurorë, nëse synon përmbushjen e mandatit të tij ligjor. Andaj, presim që kjo të merret parasysh gjatë projektit të ardhshëm buxhetor.

Me ngritjen e numrit të prokurorëve do të krijohen kushtet që prokurori i shtetit të fillojë të përmbushë më fuqishëm detyrën e vet në luftimin e të këqijave, me të cilat përballet shteti i Kosovës në rrafshin e sundimit të ligjit si korrupsioni, krimi i organizuar dhe terrorizmi, të këqija këto që rrezikojnë paqen, sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë.

Rritja e numrit të prokurorëve,  po ashtu do të ndikojë në specializimin e tyre në fushat e bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të përfituara me vepër penale, krimeve të luftës, terrorizmit, trafikimit, si dhe të ballafaqimit me sfidat e kohës moderne siç janë krimet kibernetike dhe ato financiare.

Sistemi prokurorial dhe gjyqësor është një faktor shumë i rëndësishëm në prezantimin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe sot është koha kur vlerat e drejtësisë po nënvizohen gjithnjë e më shumë si kushte dhe si kriter për liberalizimin e vizave dhe përfitimin e statusit të një vendi evropian dhe në mënyrë të pashmangshme ky sistem përbën një tregues të suksesit apo dështimit të shtetit tonë.

Prokurorët e shtetit do të ndjehen më të fuçishëm  për të luftuar pa kompromis krimin nëse janë të sigurtë se e gëzojnë përkrahjen politike  dhe shoqërore dhe se do të respektohet në maksimum parimi  për pavarësinë e sistemit prokurorial, në këtë drejtim, në lobimin për  pavarësinë e sistemit prokurorial presim përkrahjen nga prania diplomatike në Kosovë dhe e miqve tanë ndërkombëtarë.

Ju, të sapo diplomuarit, gjenerata e ardhshme e prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet të angazhoheni në rritjen e pavarësisë dhe integritetit, ju duhet të jeni mbrojtësit e të drejtave të njeriut nëpër procedurat gjyqësore  dhe garantuesit e funksionimit të shtetit ligjor.

Duhet të angazhoheni në zhdukjen e asaj që përfolët në ambientet shoqërore se dikush burgoset me vite për grabitjen e një telefoni, ndërsa të tjerët që mund të kenë bërë vepër kriminale lëvizin të lirë, zaptues pronash lëvizin të lirë, i zhvillojnë ato, implikojnë edhe personat zyrtar në proceset tenderuese, ju duhet te jeni të vëmendshëm dhe këto raste që bëhen shqetësuese për qytetarët,  t’i shikoni si indice dhe të shërbejnë si analizë në punën tuaj.

Duhet ta dini se do të keni një detyrë të rëndësishme dhe duhet të jeni të ndërgjegjshëm se nuk mund të ketë më hetime dhe gjykime të influencuara, joprofesionale, joefikase, që asgjë nuk ka përfunduar, gjithçka është në zhvillim, largohuni tentativave për tu implikuar në proceset e deformuara dhe në implikimin e atyre që mund të ju kenë emëruar dhe mos bashkë implikoni edhe  ndërkombëtarët në proceset ligjore dhe kushtetuese që janë në detyrimin e institucioneve vendore.

Ne brenda sistemit prokurorial dëshirojmë të promovojmë figura që bazohen në punën e tyre, në profesionalizëm dhe integritet, e jo ata të cilët tentojnë të gjejnë lidhje të shkurta të influencës dhe politikës, vetëm ata që janë të vendosur ti shërbejnë kauzës për të cilën janë shkolluar dhe për të cilën do të punojnë, mund të kontribuojnë që të kemi një prokurori të respektuar, një prokurori e cila do të lehtësojë punën e gjykatave, një prokurori e cila nuk do të zhgënjehet për të gjitha ato akte akuzuese që i çon në gjykata.

Prandaj, mesazhi im ndaj jush sot referon në dy cilësi të padiskutueshme për suksesin në misionin tuaj: dinjitet dhe profesionalizëm. Nocioni dinjitet  kërkon që në punën tuaj të mos lejohen ndikime nga pushtetet tjera dhe as nga emrat e përveçëm, interesat e të cilëve preken nga hetimet e prokurorëve dhe vendimet e gjykatave. Ndërsa nocioni profesionalizëm do të thotë të njohësh dhe të zbatosh drejtë dispozitat ligjore.

Dhe në fund, ju siguroj se ne do ti marrim të gjitha veprimet e duhura që ju kandidatët për prokurorë sa më parë të vini në mesin tonë dhe të vazhdojmë së bashku realizimin e misionit tonë mjaft të rëndësishëm.

Faleminderit për vëmendje!