Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në: Samitin e Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut

Prishtinë, 15 qershor 2015

Të nderuar drejtues të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare,

Mysafirë dhe pjesëmarrës tjerë të këtij Samiti,

Një numër konventash ndërkombëtare, mes tyre edhe Karta e OKB-së, thërret për një vendosmëri për krijimin e kushteve në të cilat drejtësia mund të jepet. Kjo kartë po ashtu ka proklamuar bashkëpunimin ndërkombëtar në promovimin dhe inkurajimin e respektit për të drejtat  e njeriut dhe liritë themelore pa dallim race, seksi, gjuhe ose feje.

Në këtë drejtim, është e nevojshme që secili nga ne ta kryejë detyrën e tij në pajtim me ligjin vendor dhe konventat ndërkombëtare dhe të sigurojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Një rëndësi më të madhe fiton në peshë, roli i organeve të drejtësisë, dhe unë sot po shoh këtu shumë njerëz që janë të kyçur në sistemin gjyqësor jo vetëm të Kosovës, por edhe vendeve tjera, andaj mendoj se nuk ka vend më të mirë dhe të përshtatshëm sesa të afirmojmë këto vlera në këtë përbërje dhe në raste të tilla.

E them këtë ngase mundësia që të drejtat e njeriut të shkelen nga organet gjyqësore është e një niveli potencial duke pasur parasysh natyrën e punës sonë, e në veçanti atë të sistemit prokurorial ngase këtu fillon mundësia e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Sistemi prokurorial ka një rol të rëndësishëm në realizmin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut që mishëron parimet e barazisë para ligjit, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një gjykim të drejtë dhe publik, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.

Pra, roli i prokurorive është thelbësor në administrimin e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe veprimit në pajtim me parimet e lartcekura, duke dhënë kështu një kontribut për një drejtësi të barabartë dhe korrekte, njëkohësisht një drejtësi që mbron efektivisht  të drejtat e qytetarëve që të jetojnë të qetë dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat të papenguar nga askush.

Kjo drejtësi dhe mbrojtje e të drejtave të njeriut, në veçanti nga ana e sistemit prokurorial, mund të arrihet vetëm nëse kemi një sistem te efektshëm prokurorial, me procedim të lëndëve në një afat të arsyeshëm kohor dhe këto pashmangshëm do të rrisin besimin e qytetarëve në drejtësi dhe në sistemin prokurorial.

Natyrisht se për të arritur këtë duhet shumë punë. Kjo punë duhet akoma më shumë të precizohet dhe përkthehet në punë efektive e cilësore. Kjo do të mund të arrihet vetëm nëse në sistemin prokurorial vendosim baza të shëndosha të kualifikimeve, emërimeve, avancimeve, shkarkimeve, degradimeve të prokurorëve, duke i vënë theks të posaçëm integritetit të secilit prokuror në veçanti.

Çdo prokuror, kudo qoftë ai, në Kosovë apo gjetiu, duhet që si bazë të parë dhe të vetme të punës së tij të ketë punën e ndershme, duke vepruar në mënyrë të paanshme, pa paragjykime, duke eliminuar çdo formë të diskriminimit kundër individit në baza të racës, gjuhës, sexit, besimit fetar, politik apo mendimit ndryshe, të eliminojë çfarëdo dallimi tjetër dhe kjo do ta bëj secilin prokuror të dinjitetshëm, të drejtë e të pavarur.

Që të kryhet e gjithë ajo që u tha më lartë, nevojitet që të krijohet edhe një ambient i sigurt, duke krijuar të gjitha parakushtet që secili prokuror, në çdo kënd të vendit dhe botës, të kryejë detyrën e tij dhe të ushtroj funksionin e prokurorit, pa frikë, pa pengesa, pa ushtrim ndikimi të padrejtë dhe duke siguruar se prokurorët nuk do të përndiqen me padi civile, penale apo përgjegjësi tjetër, për punën e drejtë të tyre.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni shkurtimisht të flas pak edhe për një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm në sistemin prokurorial e që paraqet një fondament të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky parim është parimi i diskrecionit.

Në Kosovë, në mandatin tim, këtë e kam vendosur si një prioritet ngase jo në çdo rast kërkohet që të bëhet përndjekja e personave që kanë rënë ndesh me ligjin. Andaj, bota ka parë tashmë në shumë vende aplikimin e procedurave alternative dhe në këtë drejtim edhe Kosova dhe sistemi i saj prokurorial është rreshtuar nga bota demokratike, ngase kurdoherë kur ligji e lejon këtë, prokuroria ose do të tërhiqet nga ndjekja penale ose do të fusë në përdorim procedurat alternative, kuptohet në respektim të plotë të të drejtave të pandehurit dhe të dëmtuarit. Për këtë arsye, jo vetëm sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor, por edhe vet shteti duhet të hulumtojë të gjitha procedurat diversive për shkarkim të lëndëve nëpër gjykata.

Si përfundim, më lejoni të theksoj edhe njëherë rolin e krejt sistemit juridik, e në rastin tim, në veçanti atë të sistemit prokurorial në rolin krucial që luajmë në administrimin e drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe përderisa kjo është në rolin dhe detyrën tonë të bëjmë punën tonë në mënyrë më të mirë të mundshme, në anën tjetër nevojitet edhe angazhimi i shtetit në detyrën e tyre për të siguruar pavarësinë e sistemit gjyqësor në kuptimin e pavarësisë financiare, por edhe në të gjitha aspektet tjera në mënyrë që sistemi gjyqësor ta ndjejë veten njëherë e përgjithmonë si pushtet i barabartë me pushtetet tjera dhe të mos mbetet kjo vetëm në aspektin figurative dhe deklarativ.

Sapo ta kemi siguruar këtë, por edhe kriteret tjera të theksuara më lartë, ne do të jemi në pozitë që të kryejmë detyrën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kështu edhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj!