Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në Konferencën e mbajtur për prezantimin e punës një vjeçare të Prokurorit të Shtetit

Prishtinë, 21 prill 2016 - Sot jemi këtu së bashku me drejtuesit e prokurorive dhe përfaqësuesit e mediave në njëvjetorin e emërimit tim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, për t’i diskutuar të arriturat, sfidat por edhe dështimet e Prokurorit të Shtetit në vitin që po lëmë pas.

Më lejoni të përgëzoj të gjithë kryeprokurorët për punën e madhe që kanë bërë, ngase secili prokuror në Kosovë ka tejkaluar normën e paraparë orientuese dhe kjo dëshmon për një punë efikase dhe rezultate të mira me të cilat mund ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Pavarësisht punës së madhe që është bërë është e evidente se shumë sfida vazhdojnë ta mundojnë sistemin prokurorial dhe mendoj se ky është momenti i duhur për t’i diskutuar se si mund të përmirësojmë këtë sistem dhe ta bëjmë më efikas.

Sfidat që i kemi përballë janë reale, serioze dhe të shumta. Ato nuk do të kapërcehen me lehtësi apo në një kohë të shkurtër, por duhet të besojmë se do t’ia dalim, sepse ne kemi zgjedhur ndryshimin si formë të funksionimit.

Sot do të paraqes raportin e punës një vjeçare të Prokurorit të Shtetit të Kosovës, i cili është një instrument vlerësues për punën dhe veprimtarinë e Prokurorit të Shtetit.

Qëllimi i raportit është analizimi i punës njëvjeçare dhe krahasimi i punës me vitin paraprak si dhe rishikimi i rezultateve të punës që kemi bërë gjatë vitit 2015 .

Prokuroria e Shtetit është një organ shumë i rëndësishëm i cili funksionon në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke i përdorur autorizimet e veta kushtetuese dhe ligjore në ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

Në Republikën e Kosovës funksionin e Prokurorit të Shtetit e kanë ushtruar 136 Prokurorë të Shtetit, në 7 Prokuroritë Themelore, Prokurorinë e Apelit, PSRK-në dhe Zyrën e Prokurorit të Shtetit.

Me marrjen e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kam marrë përgjegjësinë që Prokurori i Shtetit të arrijë rezultate më të mira në punë dhe këtë vlerësim më së miri do ta bëjë publiku pas prezantimit të raportit të punës.

Në vazhdim do të ju ofroj disa të dhëna statistikore që tregojnë për rezultatet e punës së Prokurorit të Shtetit gjatë periudhës një vjeçare:

Në vitin 2015, në institucionin e Prokurorit të Shtetit, në nivel të përgjithshëm janë pranuar në punë 25.412 kallëzime penale me kryerës madhorë të veprave penale, ndërsa kanë arritur t’i zgjidhin 25.183 lëndë ose 99.1%.

Nëse krahasojmë me vitin 2014 ku nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale prej 27.556 lëndëve ishin zgjidhur 19.528 ose 71% të lëndëve, rezulton se Prokuroria e Shtetit ka qenë shumë më efikase në vitin 2015 dhe këto shifra tregojnë se në vitin 2015 kemi arritur t’i zgjidhim 5.655 lëndë ose 29 % më shumë se në vitin 2014.

Sa i përket veprave penale ku kryerës paraqiten të miturit, Prokuroria e Shtetit ka pranuar 1.795 kallëzime penale nga të cilat janë zgjidhur 1.689 apo 94% të rasteve, ndërsa nëse krahasojmë me vitin paraprak ku nga 1.751 lëndë janë zgjidhur 1.581 rezulton se në vitin 2015 kemi pasur një rritje prej 4% ose 108 lëndë më tepër se në vitin e kaluar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2015 ka pranuar 119 kallëzime penale kurse ka zgjidhur 149 lëndë ose 125 %, që do të thotë që ka kryer edhe lëndë të trashëguara nga vitet paraprake.

Nëse krahasojmë punën e PRSK me vitin 2014 ku janë pranuar 152 kallëzime penale, janë zgjidhur 78 ose 51% të kallëzimeve penale, rezulton se gjatë vitit 2015 në PRSK është dyfishuar numri i lëndëve të zgjidhura ose në krahasim me vitin paraprak vërehet se ka një ngritje në zgjidhjen e lëndëve prej 74% dhe mund të konstatoj se ky vit ka qenë viti me efikasitet më të madh prej kur është formuar kjo prokurori.

Prokuroria e Apelit në dy departamentet e saj gjatë vitit 2015 ka pranuar gjithsej 5.161 lëndë penale dhe të gjitha janë zgjidhur, 100% të lëndëve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit gjatë vitit 2015 ka pranuar në punë 1.189 lëndë, ndërsa ka zgjidhur 1.210 lëndë ose 101,77 %, kjo rritje në përqindje tregon se zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kryer edhe lëndë të mbetura nga viti 2014 dhe tregon se ka shënuar rritje prej 6% në krahasim me vitin 2014.

Gjatë vitit 2015 Institucioni i Prokurorit të Shtetit ka pranuar në punë gjithsej 9.810 lëndë të ndryshme penale nga regjistri PPN, ndërsa ka zgjidhur 7.878 lëndë ose 80.31% të lëndëve. Nëse krahasojmë me vitin 2014 vërehet një ngritje prej 6% në vitin 2015.

Sa i përket lëndëve me persona të panjohur, Prokuroria e Shtetit ka pranuar 12.566 lëndë, ndërsa gjatë vitit 2015 ka arritur që ti zgjidhë 933 lëndë ose 7.42 %. Nëse krahasojmë me vitin 2014, vërehet se ka një rënje sa i përket numrit të lëndëve të zgjidhura për 5.3%. Ky numër i vogël i lëndëve të zgjidhura paraqet shqetësim real dhe kërkon përkushtim dhe bashkëpunim më të madh nga ana e Prokurorisë dhe Policisë për zbulimin e identitetit e kryerësve të veprave penale.

Lëndët që kanë të bëjnë me ndihmën ndërkombëtare e të cilat i trajtojnë PRSK dhe PTH janë pranuar gjithsej 283 lëndë ndërsa janë zgjidhur 219 lëndë ose 77.39% prej tyre.

Departamenti i krimeve të rënda i PTH, Prishtinë nga 1.110 kallëzime të pranuara ka zgjidhur 1.441 kallëzime ose 129%.

PTH, Prizren nga 429 kallëzime ka zgjidhur 427 kallëzime apo 99% të rasteve.

PTH, Pejë nga 421 kallëzime të pranuara ka zgjidhur 436 kallëzime ose 103% të rasteve.

PTH, Gjilan, nga 289 kallëzime, ka zgjidhur 267 kallëzime ose 92%.

PTH, Gjakovë, nga 247 kallëzime ka zgjidhur 255 ose 103%.

PTH, Ferizaj, nga 238 kallëzime ka zgjidhur 293 ose 123%.

PTH, Mitrovicë, nga 471 kallëzime ka zgjidhur 303 ose 64%.

Nga të dhënat e cekura më lartë shihet se DKR të Prokurorive Themelore gjatë viti 2015 kanë treguar efikasitet të lartë pasi që nga 3.205 kallëzime të pranuara gjatë viti 2015, kanë arritur që ti zgjidhin 3.422 kallëzime apo 106%, që do të thotë kanë kryer 217 lëndë më shumë se që kanë pranuar, pra kanë zgjidhur lëndë të viteve të tjera.

Ndërsa sa i përket departamenteve të përgjithshme të prokurorive themelore në nivel të Kosovës po ashtu kemi një përparim të dukshëm krahasuar me vitet paraprake pasi që gjatë vitit 2015 në këto departamente janë pranuar gjithsej 23.929 kallëzime, ndërsa janë zgjidhur 22.635 lëndë ose 94%.

Po ashtu vlen të ceket se secili prokuror nga departamentet e përgjithshme mesatarisht ka zgjidhur nga 365 kallëzime penale, që nëse llogarisim me normën vjetore që është 250 kallëzime për një prokuror i bie që secili prokuror ka tejkaluar normën vjetore për 45%.

Për të ilustruar rezultatet e lartpërmendura, PTH në Prizren gjatë viti 2015 ka arritur që ti zgjidhë 3.674 lëndë me 6 prokurorë, nëse merret mesatarja e prokurorëve me numrin e zgjidhjes së lëndëve tregon se çdo prokuror ka arritur ti zgjidhë nga 612 kallëzime penale që do të thotë më shumë se dyfishi i normës së paraparë vjetore.

Po ashtu PTH, Ferizaj, Departamenti i përgjithshëm gjatë vitit 2015 ka arritur që ti zgjidhë 2.699 lëndë me 6 prokurorë, nëse merret mesatarja e prokurorëve me numrin e lëndëve të zgjidhura tregon se çdo prokuror ka arritur ti zgjidhë nga 449 lëndë, që do të thotë afër dyfishit të normës vjetore.

Prokurorët e Shtetit gjatë këtij viti kanë qenë thellësisht të përkushtuar që të punojnë në përputhje me ligjet dhe në bazë të provave të mbledhura, e këtë më së miri e dëshmojnë 83,87% të aktakuzave të cilat kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.

Prokuroria e Shtetit me të gjitha rezultatet pozitive dhe sukseset e vitit 2015 vlen të theksohet se ka trashëguar një numër të madh të lëndëve nga vitet paraprake dhe atë 26.065 lëndë me regjistër PP, 74.841 lëndë me kryerës të panjohur, 19.030 lëndë me raporte të veçanta dhe 445 lëndë me ndihmë juridike ndërkombëtare. Një ndër sfidat kryesore të Prokurorisë së Shtetit gjatë viteve të ardhshme do të jetë numri i madh i lëndëve të trashëguara si dhe numri i madh i mos zbulimit të identitetit të kryerësve të veprave penale.

Sistemi prokurorial për një kohë të gjatë ka vuajtur nga numri i vogël i prokurorëve.

1. Për të krijuar një sistem më efikas gjatë vitit 2015 është rritur numri i prokurorëve në Prokurorinë Themelore (në Nëntor janë emëruar 13 Prokurorë të nivelit fillestar në PTH)
2. Është rritur numri i Prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për tre prokurorë dhe është emëruar një prokuror në PSK.
3. Nëntë (9) Prokurorë janë propozuar për dekretim në Zyrën e Presidencës të cilët vijnë nga radhët e minoriteteve me qëllim të funksionalizimit të organeve të drejtësisë në pjesën veriore të shtetit.
4. Është themeluar departamenti për krimet e luftës në kuadër të PSRK-së, i cili përbëhet nga dy prokurorë vendor dhe tanimë ka filluar të funksionojë.
5. Është nxjerrë strategjia për procedurat alternative për zgjidhjen e rasteve të vogla dhe për dhënien e drejtësisë në një kohë të arsyeshme në pajtim me Konventën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Vetëm gjatë vitit 2016 kemi zgjedhur 921 raste me procedurë alternative për 1.149 persona dhe 5.928 aktakuza me urdhër ndëshkimor .
6. Është përcaktuar mënyra e re e ndarjes së lëndëve ashtu që të gjithë prokurorët janë ngarkuar me numër të njëjtë të lëndëve.
7. Për herë të parë është krijuar komisioni në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Shtetit për të përcjellë rastet nga mediat, trembëdhjetë ( 13 ) raste deri më tani janë iniciuar pikërisht pas raportimeve në media dhe hetimet janë në proces e sipër, kurse në disa raste janë ngritur aktakuzat (rasti Surroi, data e inicimit me 11.06.2015; dyshimi për inskenimin e aksidentit për të mbuluar vrasjen e një vajze 12.06.2015; rasti i fajdeve, Prizren, tani në PRSK; rasti i KEDS; rasti i letërnjoftimeve me defekte; rasti i grurit nga gazeta Kosova Sot; rasti me pronat e uzurpuara, nga gazeta Zëri; filmat në QKUK; rasti i Klinikës së Neonatologjisë; rasti nga gazeta Koha Ditore: Duhani i papërpunuar.
8. Është nxjerrë strategjia e re për luftën kundër korrupsionit dhe është formuar për herë të parë njësiti për luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike në kuadër të PTH, Prishtinë, pesë (5) prokurorë në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe katër (4) në Departamentin e Përgjithshëm. Ky plan ka përcaktuar vendosjen e afateve brenda të cilave duhet të përfundohen rastet e korrupsionit ashtu që rastet e pranuara nga viti 2001-2010 duhet të përfundohen deri me 30 Qershor të këtij viti si dhe rastet e papërfunduara nga viti 2011-2014 duhet të përfundohen deri me 30 Qershor 2017.
Kjo strategji i ka kushtuar vëmendje të posaçme llogaridhënies dhe transparencës ku kryeprokurorët janë të obliguar t’i raportojnë mekanizmave mbikëqyrës të KPK-së në baza tremujore lidhur me ecurinë e zbatimit të kësaj strategjie. Pra, sistemi prokurorial për herë të parë ka vendosur të gjejë një adresë të suksesit apo mossuksesit në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike.
9. Në procesin e integrimeve në BE i kemi përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave– që kanë qenë obligime të institucionit të Prokurorit të Shtetit. Është caktuar koordinatori për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e rasteve të krimeve të rënda dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional.
Janë caktuar personat përgjegjës nga Institucionet për zbatimin e ligjit për koordinim ndërinstitucional.
Është krijuar databaza e të dhënave nga Institucionet tjera për rastet e shënjestrimit
(Policia, FITC, AKI, Administrata Tatimore dhe Dogana) dhe në këtë databazë janë regjistruar 29 raste të profilit të lartë, nga këto 29 raste, Prokuroria e Shteti i ka ngritur 16 aktakuza me 60 persona.
10. Edhe përkundër faktit se nuk kemi qenë të kënaqur me luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, gjatë vitit 2015 i kemi zgjidhur 412 kallëzime penale me 919 persona apo 100% të lëndëve të pranuara dhe 8 lëndë me 113 persona për krim të organizuar, jeni dëshmitarë që gjatë këtij viti në këto drejtime janë arritur lëvizje të dukshme. Janë ngritur aktakuza kundër disa kryetarëve të komunave, bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, deputetëve, zyrtarëve policorë, sekretarëve permanent, zyrtarëve të ndërmarrjeve publike, zyrtarë të Qeverisë, drejtues të institucioneve të pavarura, zyrtarë të prokurimit, zyrtarë komunal, zyrtarë shëndetësorë, punonjës të administratës, drejtorë të departamenteve komunale, asambleistë komunal. Nevojiten të bëhen lëvizje edhe më të mëdha. Unë pres që gjatë vitit të ardhshëm prokurorët e Shtetit të angazhohen maksimalisht në luftën kundër këtyre dukurive që janë sfida të cilat do të na shoqërojnë gjatë gjithë procesit për anëtarësimit tonë në strukturat e BE-së dhe roli i Prokurorisë në drejtim të rritjes së efikasitetit të kësaj lufte është vendimtare.
11. Po ashtu gjatë këtij viti kemi pranuar në punë 27 kallëzime penale për veprat penale që ndërlidhen me terrorizëm, nga të cilat Prokuroritë kanë zgjidhur 19 raste me 87 persona apo 70% e lëndëve të pranuara.
12. Viti 2015 është viti me efikasitet më të lartë për PSRK-së e cila gjatë këtij viti ka zgjidhur 149 lëndë. Nëse krahasojmë punën e PRSK të vitit 2014 ku janë pranuar 152 kallëzime penale ndërsa janë zgjidhur 78 ose 51% të kallëzimeve penale, rezulton se gjatë vitit 2015 në PRSK është dyfishuar numri i lëndëve të zgjidhura ose në krahasim me vitin paraprak ka një ngritje të zgjidhjes së lëndëve prej 74%.
13. Gjatë këtij viti Prokuroria e Shtetit ka arritur bashkëpunimin me Institucionet vendore me Policinë, Gjykatat, AKI-në Doganat, Administratën Tatimore , EULEX-in, Ambasadat e huaja dhe zyrën e BE-së për rritjen e efikasitetit përmes shkëmbimit të informacioneve dhe mënyrave të tjera në ligjet e zbatueshme.
14. Bashkëpunimi me Institucionet homologe të shteteve të huaja ka qenë i nivelit të duhur, kemi pasur takime zyrtare me Kryeprokurorin e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë, Turqisë, Portugalisë, së bashku me Ambasadën Amerikane kemi qenë nikoqir të konferencës rajonale për ndjekjen e krimit ndërkufitar.
15. Brenda këtij viti kemi organizuar edhe Konferencën Vjetore të Prokurorëve me të cilin kemi zgjedhur anëtarët e rinj te Këshillit Prokurorial të Kosovës.
16. Gjatë këtij viti janë përmirësuar kushtet për zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, KPK-në PTH në Prishtinë, Prokurorisë së Apelit, PTH në Gjilan dhe PTH Ferizaj duke kaluar në objekte të reja në hapësira të mjaftueshme për punë.
17. Prokurorët e Shtetit kanë dhënë kontribut edhe në hartimin e rregulloreve për funksionalizimin e KPK-së dhe komisioneve të KPK-së edhe vetëm për 6 muaj të fundit të vitit 2015 janë aprovuar 12 Rregullore.
18. Komisioni për vlerësimin e Performancës ka vlerësuar punën profesionale për 55 prokurorë.
19. Prokurorët janë dërguar në trajnime të specializuara në vend dhe jashtë vendit për terrorizëm, krimet e luftës, krimet financiare, krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet kibernetike.
20. Gjatë vitit 2015 kemi pasur ngrirje të pasurisë apo sekuestrim në vlerë prej 20,500.000 EURO dhe në fund dua të ju informoj se nga aktakuzat të cilat janë dërguar në gjykata 83,87% kanë përfunduar me aktgjykime dënuese e që na bën të besojmë se aktet akuzuese të cilat janë dërguar në gjykata kanë qenë të mbështetura në ligj dhe me prova të fuqishme.
21. Kemi punuar edhe në llogaridhënien, 13 prokurorë gjatë procedurave disiplinore janë sanksionuar:
1 prokuror për propozim për shkarkim
1 kryeprokuror me suspendim
2 prokurorë me suspendim
9 prokurorë janë sanksionuar me gjobë dhe qortim.

Gjatë këtij viti kemi pasur edhe sfida me të cilat është ballafaquar Prokuroria e Shtetit, numri i madh i lëndëve të trashëguara, buxheti i kufizuar për Prokurorinë e Shtetit;

Zbulimi i veprave penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar;

Marrja dhe trajtimi i lëndëve të krimeve të luftës nga Eulex-i;

Hapësirat dhe kushtet e rënda të punës në PTH në Mitrovicë;

Numri i pamjaftueshëm i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit adminirativ;

Disproporcioni mes sekuestrimit dhe konfiskimit;

Mungesa e Infrastrukturës adekuate ligjore psh: (mungesa e ligjit Anti-Mafia).

Objektivat për vitin 2016 do të jenë:
1. Ngritja e kapaciteteve të Prokurorisë së Shtetit
2. Ngritja e numrit të prokurorëve në DP e krimeve te rënda dhe PSRK-së
3. Emërimi i Kryeprokurorëve
4. Trajnimi dhe Specializimi i prokurorëve në fusha të caktuara
5. Formimi i kabinetit të Prokurorit të Shtetit
6. Funksionalizimi i zyrës ndërlidhëse për përgjim në kuadër të ZKPSH-së
7. Zbatimi i Institutit për mbrojtjen e dëshmitarëve
8. Rritja e llogaridhënies së Prokurorëve
9. Rritja e numrit të rasteve të zgjidhura me procedurë alternative
10. Ngritja e transparencës së Prokurorit të Shtetit dhe
11. Inkuadrimi i asociacionit ndërkombëtar të Prokurorëve.