Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në konferencën nacionale, që po mbahet në kuadër të Javës për të drejtat e viktimave të krimit

Prishtinë, 17 tetor 2016 – Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në konferencën nacionale, që po mbahet në kuadër të Javës për të drejtat e viktimave të krimit.

I nderuar President i Republikës, Z. Thaqi,
I nderuar Kryesues i KPK, Z. Isufi,
E nderuar Ministre e Drejtësisë, Znj. Hoxha,
Të nderuar Shkëlqësi Ambasadorë, Z. Delawie, Z. Williams, Z. Minxhozi, Z. Bratu, Z. Sardi,
I nderuar Kryeprokuror i Eulex-it Z. Palla,
E nderuar Zv. Kryetare e Gjykatës Supreme, Znj. Sylejmani,
Të nderuar përfaqësues të mediave dhe të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ngjarje të rëndësishme për të drejtat e viktimave të krimit, ngjarje kjo që këtë vit shënon shtatë vjetorin e saj me moton ’’Drejtësi dhe rimëkëmbje për viktimat.’’

Me rastin e kësaj ngjarje, kam kënaqësinë që në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës të shprehë sërish angazhimin tim të plotë në misionin e vazhdueshëm për funksionimin e shtetit ligjor.

Gjej rastin që sot të uroj prokurorët e shtetit, gjyqtarët, mbrojtësit e viktimave, policët hetues, punëtorët social, OJQ-ët dhe të gjithë punonjësit tjerë që lidhen me këtë ngjarje të rëndësishme që ka të bëjë me drejtësi dhe rimëkëmbjen e viktimave të krimit dhe të ju inkurajoj të gjithë juve për një mobilizim të mëtejshëm në punën tuaj fisnike për të mbrojtur të drejtat e viktimave të krimit.

Fakti që sot këtë konferencë të organizuar nga Prokuroria e Shtetit është duke e mbështetur Ambasada e SHBA, na jep të drejtën për të besuar se viktimat e krimit kanë partner dhe mbështetës të fuqishëm, por është edhe një tregues për mbështetjen e institucionit të Prokurorit të Shtetit në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor për ndjekjen, hetimin dhe ndëshkimin e autorëve të krimit.

Pavarësisht nga simbolika e kësaj dite, drejtësia dhe rimëkëmbja e viktimave të krimit nuk është një veprimtari përkujtimore, por duhet të jetë një detyrë e përhershme e institucioneve të drejtësisë dhe e shtetit të Kosovës, që në mënyrë të paevitueshme tregon suksesin apo dështimin e tij në fushën e sundimit të ligjit.

Të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Republikës së Kosovës dhe për dallim nga vendet e rajonit ne kemi siguruar edhe bazën ligjore për kompensimin  dhe trajtimin sa më dinjitoz të viktimave të krimit.

Po ashtu para pak kohe me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës është emëruar edhe Komisioni për kompensimin e viktimave të krimit dhe besoj se së shpejti do të kemi edhe rastet e para që do të përfitojnë sipas ligjit për kompensimin e viktimave.

Me plot të drejtë mund të them se viktimat e krimit ngadalë por sigurt po depërtojnë në sistemin e të drejtave të njeriut, po bëhen objekt primar i të drejtës vendore si dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.

E gjithë kjo nuk do të ishte e mundshme pa përkrahjen e vazhdueshme që kemi pas nga Ambasada e SHBA në Kosovë, andaj më lejoni që edhe para jush dhe publikisht të falënderoj Ambasadorin Delawie dhe zyrtarët tjerë të Ambasadës, për kontributin e tyre në avancimin e shumë çështjeve për mbrojtësit e viktimave të krimit si dhe për sigurimin dhe realizimin e të drejtave për viktimat e krimit.

Duke iu referuar temës së sotme, dua të theksoj se Prokurori i Shtetit ka gatishmërinë dhe përkushtimin e tij ligjor për trajtimin e rasteve të viktimave të krimit me prioritet përmes Zyrës për mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave, si dhe në të gjitha prokuroritë e Republikës së Kosovës ka caktuar prokurorët përgjegjës që do të merren me trajtimin e kësaj kategorie të ndjeshme të viktimave.

Prandaj ju siguroj se të gjithë prokurorët do të ushtrojnë autoritetin e tyre për të respektuar të drejtat e viktimave, për t’i trajtuar ato me dinjitet dhe për tu kujdesur për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë edhe të drejtën e kompensimit të dëmit të shkaktuar me vepër penale dhe rehabilitimin e tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Kjo drejtësi dhe rimëkëmbje e viktimave të krimit, nga ana e sistemit prokurorial mund të arrihet vetëm nëse kemi një sistem të efektshëm prokurorial me procedim të lëndëve në një afat të arsyeshëm kohor.

Natyrisht se për të arritur këtë duhet shumë punë efektive dhe cilësore, kjo mund të arrihet vetëm nëse në sistemin prokurorial vendosim baza të shëndosha të emërimeve, avancimeve dhe shkarkimeve, duke vënë theks të posaçëm në integritetin etik të secilit prokuror në veçanti.

Është e vështirë të flitet për drejtësi dhe rimëkëmbjen e viktimave pa ndëshkimin e krimit.

Prandaj, të gjithë ne duhet të angazhohemi më shumë në zbulimin e veprave penale dhe identitetin e keqbërësve si dhe në mbrojtjen e viktimave të krimit, këto dy anë kanë të njëjtat vlera, sepse në një shoqëri demokratike interesat e shtetit dhe të viktimave janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën.

Moszbulimi i autorëve të krimit sjellë pasoja negative si për shtetin ashtu edhe për viktimat e krimit. Në këto raste, fajtorët jo vetëm se i shpëtojnë ndëshkimit penal por edhe ju shtohet ’’oreksi’’ për të kryer vepra tjera penale, sepse krimi i cili nuk ndëshkohet mund të përsëritet.

Për të realizuar ndëshkimin e krimit është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të udhëhiqen nga njerëzit me moral të lartë profesional dhe personal, të cilët me ligj dinë të përcaktojnë kufizimin midis drejtësisë dhe padrejtësisë, të cilët  nuk do të lejojnë askënd të jetë viktimë e paragjykimeve, mirëpo ligjshmërinë nuk do ta braktisin për hirë të askujt.
 
Kjo është arsyeja pse të gjithë ne duhet të angazhohemi që udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë të drejtohen nga njerëzit profesional të cilët janë të drejtë dhe kanë integritet, të cilët  nuk tentojnë të gjejnë lidhje të shkurta të influencës, por bazohen në punë e tyre të ndershme dhe profesionale.

Vetëm kështu do të kemi shanse të krijojmë një sistem gjyqësor dhe prokurorial të respektuar, me rezultate më të mira në ndriçimin e rasteve të krimeve të luftës, dhunës seksuale, dhunës në familje, trafikimit me qenje njerëzore, privimit të lirisë apo skllavërisë moderne, një prokurori e cila nuk do të zhgënjehet për të gjitha ato akte akuzuese që i dërgon në gjykata.

Të nderuar pjesëmarrës,

E di që prokurorët dhe gjyqtarët janë të ngarkuar me shumë lëndë, por ju patjetër duhet të shpenzoni kohë për të trajtuar rastet kur shtetasit janë viktima të krimit. Shpeshherë viktimat pohojnë se drejtësia po ecë ngadalë, por ju me veprimet e juaja duhet t’i tregoni të gjithë viktimave se drejtësia nuk ndalet.

E di që ju duhet kohë për të peshuar të drejtën por kurrë mos harroni se kjo është kohë shumë e gjatë për viktimat e krimit dhe gjithashtu mos harroni rreziqet që ata mund t’i presin për shkak të procedurave dhe gjykimeve të gjata.

Këto raste duhet t’i trajtoni me prioritet sepse vendosja e shpejtë dhe e drejtë e parandalon krimin dhe ju jep shpresë viktimave, kurse vendosja e ngadalshme dhe e gabuar e lejon vazhdimin e frikës dhe përsëritjen e dhunës.

Mesazhi im është që të gjithë ne duhet të forcojmë vendosmërinë tonë për t’i trajtuar me dinjitet viktimat e krimit, por edhe më e rëndësishme është që të kontribuojmë në parandalimin dhe përsëritjen e rasteve të dhunës ndaj viktimave, sepse dhuna kur përsëritet jeta fillon të përfundojë.

Në fund, dua të theksoj edhe një herë, se mbrojtja e të drejtave të viktimave nuk mund të arrihet nga një institucion i vetëm, por në këtë mision duhet të përfshihen të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe me ndihmën e komunitetit ku jetojnë, t’i ndihmojnë viktimat e krimit për të rindërtuar jetën e tyre në mënyrë normale dhe të lirë.

Ju falënderoj për vëmendje dhe njëherit ju dëshiroj punë të mbarë në këtë konferencë!

Aleksandër Lumezi
Kryeprokuror i Shtetit të Kosovës