Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, në konferencën për media, ku prezantoi raportin e punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2016

Prishtinë, 20 prill 2017

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Kam nderin dhe kënaqësinë që së bashku me drejtuesit e prokurorive, të paraqes raportin vjetor të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2016.
Fare në fillim gjej rastin të falenderoj kryeprokurorët si dhe prokurorët të cilët i  shërbejnë organit të akuzës për rezultatet e punës së treguar gjatë vitit 2016. Ky raport tregon se secili prokuror  gjatë këtij viti ka tejkaluar normën e paraparë orientuese e cila dëshmon për punë efikase dhe rezultate të mira të punës.

Në periudhën që kemi lënë pas prokurorët e shtetit kanë treguar rritje të efikasitetit dhe performancës, janë zgjidhur me mijëra dosje penale që kanë pasur në fokus veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve të luftës dhe shumë veprave tjera penale. Gjithashtu, i kemi kushtuar vëmendje të posaçme plotësimit të kritereve të cilat janë të domosdoshme për liberalizimin e vizave.
Prokurorët gjatë vitit 2016 kanë zgjidhur
gjithsejt 63.055 lëndë të natyrave të ndryshme.

Nëse bëjmë krahasimin me vitin 2015, sa i përket lëndëve të ndryshme, rezulton se në vitin 2016 kemi pasur rritje të theksuar të numrit të lëndëve të zgjidhura, përkatësisht gjatë këtij viti kemi zgjidhur 20.782 lëndë të natyrave të ndryshme më shumë se në vitin e kaluar.

Në bazë të këtyre të dhënave statistikore evidente është se gjatë vitit të kaluar është bërë mjaft, megjithatë nuk do të thotë se është bërë mjaftueshëm.
Unë vlerësoj rezultatet e punës së prokurorëve të shtetit gjatë vitit 2016, mirëpo dua të theksoj se gjatë këtij viti nga të gjithë prokurorët pres rezultate më të mira dhe paraqitje më të mirë profesionale në hetimin dhe përfaqësimin e akuzave para gjykatave.

Pavarësisht punës së madhe që është bërë gjatë vitit të kaluar, para organit të akuzës mbesin shumë sfida dhe vështirësi të cilat duhet së bashku t’i zgjidhim në mënyrë që të forcojmë sundimin e ligjit dhe të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Vlen të theksohet se gjatë vitit të kaluar kemi treguar se jemi partner kredibil me faktorin ndërkombëtar. Këtë e vërteton fakti se gjatë vitit 2016  Prokuroria e Shtetit është pranuar dhe anëtarësuar në Asociacionin Ndërkombëtar të Prokurorëve me seli në Holandë, gjë që do të mundësojë prokurorëve të vendit tonë të shkëmbejnë informacionet, përvojat dhe praktikat më të mira në nivel ndërkombëtar.

Prokuroria e Shtetit ka treguar se është e përkushtuar për një sistem të drejtësisë të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional me qëllim që asnjë fajtor të mos i shmanget përgjegjësisë penale, nga ana tjetër i kemi siguruar qytetarët që askush nuk do të merret në përgjegjësi penale në mënyrë të padrejtë.
Gjithashtu kemi treguar se kujdesemi edhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventat Ndërkombëtare.

Në këtë drejtim gjatë vitit të kaluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKP, për herë të parë pas 15 viteve kemi arritur që nëpërmjet procedurave penale t’i largojmë uzurpatorë nga pronat e uzurpuara, të cilët deri atëherë ishin të paprekshëm. Si rezultat i punës së Prokurorit të Shtetit është arritur që të lirohen pothuajse të gjitha lokalet e uzurpuara, ky aksion i koordinuar ka bërë që të lirohen shumë lokale dhe objekte tjera dhe për këto raste deri më tani janë ngritur 8 aktakuza.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe raportuese Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV) ka ofruar shërbime për viktimat e krimit në gjithsejt 1355 raste nga të cilat kanë dominuar rastet e dhunës në familje dhe të trafikimit me qenje njerëzore.

Në vitin që lamë pas gjithashtu ka filluar së funksionuari edhe Departamenti për krimet e luftës në kuadër të PSRK. Kemi bërë transferimin e shumë lëndëve nga EULEX-i tek prokurorët vendor.

Vlen të theksohet fakti se pas ndryshimit dhe plotësimit të Ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të EULEX-it të datës 17 qershor 2016,  Prokuroria e Shtetit nuk ka transferuar asnjë lëndë tek prokurorët e EULEX-it.

Gjatë periudhës raportuese Prokuroria e Shtetit ka pranuar 9 raste, ndërsa janë zgjidhur 33 raste, për 47 persona për krime lufte janë pushuar hetimet, për 17 persona është hudhë kallëzimi penal, për 5 persona është ngritur aktakuza dhe kanë filluar seancat gjyqësore. 

Prokuroria e Shtetit gjatë vitit të kaluar ka treguar se është partner kredibil, kur është fjala për bashkëpunimin regjional dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Në bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës, AKI-në dhe partnerët ndërkombëtar kemi ndërmarrë veprime për identifikimin e grupeve kriminale dhe pë parandalimin e akteve terroriste. Në këtë drejtim kemi rritur bashkëpunimin me shtetet fqinje si dhe me shtetet tjera.

Si rezultat në këtë periudhë, Prokurori i Shtetit ka pranuar 37 raste të natyrave të ndryshme, ndërsa janë zgjidhur 28 raste me 66 persona. Të gjitha rastet tjera janë në fazën e hetimeve.

Të gjithë jemi dëshmitarë të krijimit të një klime të mosbesimit të përgjithshëm në sistemin e drejtësisë për shkak të efikasitetit të ultë në luftën kundër korrupsionit, edhe përkundër këtij vlerësimi, Prokuroria e Shtetit ka pasur rezultatet konkrete. Kemi vërtetuar se jemi të vendosur për t’i hetuar të gjitha indiciet, të gjitha rastet që bëhen publike, që përmenden në media, që bëhen shqetësuese për publikun, në të cilat përfshihen zyrtarët publik. Këto raste kanë qenë çështje të analizave dhe hetimeve të Prokurorit të Shtetit gjatë vitit që lamë pas.

Në këtë drejtim kemi hetuar dhe ngritur aktakuza për herë të parë për

3- Ministra në dety
1-ish Ministër,
1- Deputet,
4-Kryetarë Komune,
1-Zv/Kryetar Komune,
2-Ish/Kryetarë Komune,
1- Kryetar Gjykate,
1- ish Gjyqtar,
1- Prokuror,
2- Policë,
3-Sekretarë Permanent,
2-ish Sekretarë Permanent,
54-Mjekë,

Si dhe anëtarë dhe kryetarë të bordeve të ndërmarrjeve të ndryshme, drejtues të ndërmarrjeve publike, menaxherë dhe zyrtarë të prokurimit, oficer të shërbimit korrekturës, drejtorë komunal, zyrtarë në gjykatë, këshilltarë në Asambletë komunale, avokatë, noterë, inspektorë dhe kryeinspektorë, operatorë ekonomik si dhe shumë zyrtarë tjerë publik.

Vetëm gjatë vitit 2016 kemi zgjidhur 468 kallëzime penale me 1164 persona për vepra penale të korrupsionit, ndërsa gjatë vitit 2016 kemi pranuar 438 kallëzime penale me 849 persona. Gjithashtu kemi zgjidhur edhe 407 kallëzime penale me 512 persona për vepra penale të krimeve ekonomike, kurse të pranuara gjatë vitit 2016 kanë qenë 343 kallëzime penale me 487 persona.

Të dhënat e lartshënuara sa i përket efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike për kryesit madhor të veprave penale (PP) në përqindje shprehen si në vijim:

- Prokuroritë kanë zgjidhur 106.84% të numrit të kallëzimeve penale për veprat penale të Korrupsionit ndërsa, 137.10% të personave, ndërsa kallëzimet penale për veprat penale të krimeve ekonomike kemi zgjidhur 118.65% të numrit të kallëzimeve penale.

Gjithashtu, për trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, kemi themeluar ekipin e përbashkët të cilin e udhëheqë Kryeprokurori i PRSK, me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Shërbimit Doganor, Administratës Tatimore, Inteligjencës Financiare dhe Agjencinë për Menaxhimin e Aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve më të rënda. Prokuroria e Shtetit ka krijuar bazën e të dhënave në të cilën përfshihen të dhënat për 35 lëndë të profilit të lartë, për 26 raste tani më janë ngritur aktakuzat. Lëndët tjera janë në fazën e hetimeve.
Viti 2016 ishte viti me rezultatet më të mira të PRSK-së, që nga formimi i saj. Kjo prokurori gjatë vitit që lëmë pas ka pranuar në punë 108 lëndë penale, ndërsa ka zgjidhur 207 lëndë ose 191,6% të lëndëve, që do të thotë ka zgjidhur edhe lëndë të trashëguara nga vitet paraparake.
Prokuroritë themelore gjatë vitit 2016 kanë pranuar në punë 27.084 kallëzime penale me kryes të njohur madhorë dhe të mitur, ndërsa ka zgjidhur 30.680 lëndë, që do të thotë që ka kryer 3.596 lëndë më shumë se të pranuara.
Nëse i krahasojmë këto të dhëna me vitin 2015 atëherë rezulton se në vitin 2016 kemi kryer 14,19% më shumë kallëzime penale se në vitin 2015.
Gjatë vitit të kaluar kemi pranuar 10.859 kallëzime penale me kryes të panjohur, ndërsa kemi kryer 17.807 lëndë që do të thotë se gjatë këtij viti kemi kryer 6.948 lëndë më shumë se sa që kemi pranuar.
 
Nga të dhënat statistikore të vitit 2016 rezulton se të gjitha prokuroritë themelore kanë kryer më shumë lëndë se sa që kanë pranuar në punë, respektivisht departamentet e krimeve të rënda të prokurorive themelore kanë pranuar në punë gjithsejt 2.611 kallëzime penale, ndërsa kanë zgjidhur 3.453 lëndë që do të thotë se departamentet e krimeve të rënda kanë kryer 842 lëndë më shumë.

Departamentet e përgjithshme gjatë vitit 2016 kanë pranuar në punë 24.379 kallëzime penale, ndërsa kanë zgjidhur 26.678, që do të thotë 2.299 lëndë më shumë.

Prokuroria e Apelit në vitin 2016, në të dy deparatamentet ka pasur gjithsejt në punë 5.281 lëndë penale dhe i ka zgjidhur të gjitha lëndët në punë ose 100% të lëndëve.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit gjatë vitit raportues ka pranuar në punë gjithsejt 1.140 lëndë penale nga të cilat i ka zgjidhur 1.154 ose 101,2%, që rezulton se prokurori i shtetit edhe në këtë nivel ka shënuar rezultate të dukshme.

Vlen të theksohet se gjatë vitit 2016, aktet akuzuese të cilat janë dërguar në gjykatë në 86,41% janë marrë aktgjykime fajsuese që është një tregues i mirë për punën profesionale të prokurorëve të shtetit pasi që gjykatat janë institucioni i vetëm i cili nëpërmjet vendimeve gjyqësore vlerëson punën e prokurorëve të shtetit.

Prokuroria e Shtetit ka arritur suksese edhe në fushën e sekuestrimit të pasurisë të krijuar me vepër penale. Në këtë drejtim është shënuar progres në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së krijuar me vepër penale. Të dhënat statistikore bëjnë me dije se këtë vit kemi rreth 60 milionë të pasurisë së sekuestruar dhe më se 1 milion e 200.000 euro pasuri të konfiskuar. Me këto sekuestrime dhe konfiskime jo vetëm që e kemi bërë krimin në disa raste të pafrytshëm por edhe ua kemi marrë fuqinë ekonomike dhe në këtë mënyrë i kemi bërë më të parrezikshëm dhe të parëndësishëm.

Gjatë periudhës raportuese prokurorët e shtetit kanë zgjidhur edhe 6.192 raste me procedura alternative me qëllim që të lehtësojë punën e gjykatave dhe të ju mundësojmë prokurorëve kohë të mjaftueshme për hetimin e rasteve më të rënda.

Prokuroria e Shtetit, në Nëntor të vitit 2016 për herë të parë ka funksionalizuar Zyren për përgjimin e telekomunikimeve në kuadër të Zyres së Kryeprokurorit të Shtetit dhe për një kohë të shkurtër kemi filluar të arrijmë rezultate konkrete në sigurimin e provave në rastet më të rënda.
Janë caktuar zyrtarët të cilët do të punojnë në Njësinë Ndërlidhëse, është nënshkruar marrëveshje e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës dhe AKI, për zbatimin e urdhëresave të përgjimeve telefonike.

Me gjithë rezultatet pozitive Prokuroria e Shtetit është përballur edhe me shumë pengesa, vështirësi dhe sfida të cilat kanë të bëjnë me ndryshimin e kornizës ligjore, buxhetin e pamjaftueshëm, plotësimin e pozitave të lira për prokurorë, numrin e lëndëve të trashëguara nga vitet paraprake, numrin e vogël të bashkëpunëtorëve profesional dhe mungesën e ekspertëve,  mungesën e zyrtarëve për komunikim si dhe trajtimin e rasteve përmes procedurave alternative. 

Nga të gjithë prokurorët e shtetit dhe stafi mbështetës pres që në këtë vit dhe në periudhën e ardhshme me përkushtim t’i shërbejmë  qytetarëve tonë sa herë që ata trokasin në dyert e prokurorisë.

Gjithashtu pres që të rritet komunikimin me qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile sepse ata janë vlerësuesi dhe matësi më i mirë i punës, pavarësisë dhe integritetit tonë.

Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë të dëmtuarit e krimit dhe të gjithë ata që dëshirojnë t’i ndihmojnë drejtësisë të bëhen pjesë e rëndësishme e punës tonë për të bërë më të mirën në zbulimin dhe ndëshkimin e krimit. 

Këto ishin të dhënat e raportit në vija të trasha, ndërsa të dhënat e detalizuara statistikore mund t’i gjeni në raportin e punës të cilin mund ta merrni pas përfundimit të konferencës.


Raport i përgjithshëm i punës së Prokurorit të Shtetit për të gjitha nivelet


Numri i përgjithshëm i kallëzimeve/ lëndëve penale

Përgjithësisht, në vitin 2016 në institucionin e Prokurorit të Shtetit në të gjitha nivelet janë pranuar dhe regjistruar 55,341 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 63,055 lëndë me një përqindje prej 113.94 %.

Nëse krahasohet me vitin 2015 ku nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve dhe lëndëve penale prej 56,216 ku ishin zgjidhur 42,273 lëndë ose 75.2 %, rezulton se në vitin 2016 ka pasur rritje të theksuar të numrit të zgjidhur të lëndëve prej 49 % përkatësisht 20,782 më shumë se në vitin e kaluar.
 

Kallëzimet penale me kryes madhor (PP)

Në vitin 2016 në institucionin e Prokurorit të Shtetit në nivel të përgjithshëm janë pranuar 24,379 kallëzime/lëndë penale për kryes madhor të veprave penale (PP) nga të cilat janë zgjidhur apo proceduar në organet kompetente 28,465 lëndë dhe kjo domethënë se Prokurori i Shteti ka arritur t’i zgjidhë 112.83%. të lëndëve me kryes madhorë.

Nëse krahasohet me vitin 2015 ku nga numri i përgjithshëm i kallëzimeve penale (PP) prej 25,412 ishin zgjidhur 25,183 ose 99.1 %, rezulton se Prokurori i Shtetit ka zgjidhur 13 % më shumë lëndë se në vitin paraprak – 2015 ose 3,282 lëndë më shumë në vitin 2016.

Numri i kallëzimeve penale të kryesve madhor (PP) të pranuara në punë gjatë vitit 2016, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, është zvogëluar për 185 kallëzime penale ose 0,73 %.

Kallëzimet penale me kryes të mitur (PPM)

Në vitin 2016 në institucionin e Prokurorit të Shtetit në nivel të përgjithshëm në kategorinë e personave të mitur janë pranuar 1,857 kallëzime penale, nga të cilat janë zgjidhur apo proceduar në organet kompetente 2,215 apo 119 %.

Krahasuar me një vit më parë, ku nga numri 1,795 janë zgjidhur 1,689 apo 94 %, rezulton se në vitin 2016 kemi një rritje prej 31 % në kategorinë e të miturve ose 526 lëndë më tepër.

Numri i kallëzimeve penale të kryesve të mitur (PPM) të pranuara në punë gjatë vitit 2016, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, është rritur për 62 kallëzime penale ose 3,2 %.

Lëndët penale me kryes të panjohur (PPP)

Në vitin 2016 nga 10,859 lëndë penale të kryesve të panjohur të veprave penale (PPP) që janë pranuar në punë, janë zgjidhur 17,807 ose 164%.

Lëndë të ndryshme penale (PPN)

Po ashtu gjatë periudhës raportuese, nga 10,652 lëndë të ndryshme penale (PPN) të pranuara, prokuroritë kanë zgjidhur 7,978 lëndë, domethënë me një përqindje 74.8 % të lëndëve të ndryshme penale.

Lëndët e ndihmës juridike ndërkombëtare (NJN)

Në vitin 2016 nga 325 lëndë të ndihmës juridike ndërkombëtare që janë pranuar në punë, janë zgjidhur 155 ose 47.7 %.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Gjatë vitit 2016 Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar në punë gjithsej 1,140 lëndë penale nga të i ka zgjidhur 1,154 ose 101.2 % që rezulton se Prokurori i Shtetit edhe në këtë nivel ka shënuar rritje.

Prokuroria e Apelit

Në vitin 2016 Prokuroria e Apelit në të dy departamentet ka pasur gjithsej në punë 5,281 lëndë penale dhe i ka zgjidhur të gjitha lëndët në punë ose 100 % të lëndëve.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Në vitin 2016 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar 108 lëndë penale nga të cilat i ka zgjidhur 207 ose 191.6 % të lëndëve, që domethënë ka zgjidhur edhe lëndë të trashëguara nga vitet paraprake.
Nëse krahasojmë me vitin 2015 ku janë pranuar 119  dhe janë zgjidhur 149 lëndë ose 125 % rezulton se është dyfishuar numri i lëndëve të zgjidhura në PSRK ose 39%  më tepër se vitin paraprak.

Prokuroritë Themelore

Në vitin 2016 Prokuroritë Themelore kanë pranuar 28,890 lëndë penale nga të cilat i ka zgjidhur 32,373 ose 112 % të lëndëve, që domethënë ka zgjidhur edhe lëndë të trashëguara nga vitet paraprake.

Nëse krahasojmë me vitin 2015 ku janë pranuar 28,975  dhe janë zgjidhur 27,780 lëndë ose 95.5 % rezulton se janë zgjidhur 16.5 %  më tepër se vitin paraprak.

Prokuroria Themelore, Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë në të tri departamentet ka pranuar 9,417 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 12,933 lëndë me një përqindje prej 137.33 %.

- DKR ka pranuar 743 kallëzime penale dhe ka zgjidhur      1,371
- DM ka pranuar 579 kallëzime penale dhe ka zgjidhur          820
- DP ka pranuar 8095 kallëzime penale dhe ka zgjidhur    10,742

Total 12,933 

Prokuroria Themelore, Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren në të tri departamentet ka pranuar 4,529 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 5,163 lëndë me një përqindje prej 114%.

- DKR ka pranuar 401 kallëzime penale dhe ka zgjidhur          400
- DM ka pranuar 280 kallëzime penale dhe ka zgjidhur            287
- DP ka pranuar 3,848 kallëzime penale dhe ka zgjidhur       4,476

Total 5163

Prokuroria Themelore,  Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë në të tri departamentet ka pranuar 3,034 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 3,986 lëndë me një përqindje prej 109 %.

- DKR ka pranuar 418 kallëzime penale dhe ka zgjidhur         433
- DM ka pranuar 203 kallëzime penale dhe ka zgjidhur           330
- DP ka pranuar 3,034 kallëzime penale dhe ka zgjidhur      3,223

Total 3986


Prokuroria Themelore, Gjilan 

Prokuroria Themelore në Gjilan në të tri departamentet ka pranuar 3,103 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 3,226 lëndë me një përqindje prej 104%.
 
- DKR ka pranuar 364 kallëzime penale dhe ka zgjidhur        359
- DM ka pranuar 247 kallëzime penale dhe ka zgjidhur           245
- DP ka pranuar 2,492 kallëzime penale dhe ka zgjidhur      2,622

Total 3226


Prokuroria Themelore, Mitrovicë 

Prokuroria Themelore në Mitrovicë në të tri departamentet ka pranuar 2,521 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 2,246 lëndë me një përqindje prej 89 %.

- DKR ka pranuar 245 kallëzime penale dhe ka zgjidhur        424
- DM ka pranuar 183 kallëzime penale dhe ka zgjidhur          226
- DP ka pranuar 2,093 kallëzime penale dhe ka zgjidhur     1,596

Total  2246

 
Prokuroria Themelore Gjakovë 

Prokuroria Themelore në Gjakovë në të tri departamentet ka pranuar 2,338 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 2,374 lëndë me një përqindje prej 101.5%.
 
- DKR ka pranuar 224 kallëzime penale dhe ka zgjidhur         222
- DM ka pranuar 107 kallëzime penale dhe ka zgjidhur           107
- DP ka pranuar 2,007 kallëzime penale dhe ka zgjidhur     2,045
Total 2,374


Prokuroria Themelore Ferizaj

Prokuroria Themelore në Ferizaj në të tri departamentet ka pranuar 3,325 kallëzime dhe lëndë penale. Nga ky numër, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjidhë dhe procedojë 2,445 lëndë me një përqindje prej 73.53%.

- DKR ka pranuar 214 kallëzime penale dhe ka zgjidhur         244
- DM ka pranuar 303 kallëzime penale dhe ka zgjidhur           227
- DP ka pranuar 2,808 kallëzime penale dhe ka zgjidhur       1,974

Totali 2,445


Vendimet gjyqësore lidhur me aktet akuzuese e Prokurorive Themelore/DKR

Vendimet gjyqësore përkitazi me aktet akuzuese të prokurorëve të PTH-ve dhe PSRK

     
Persona

Vendim gjyqësor fajësues

% me vendim gjyqësor fajësues

PSRK

129

110

92.44%

DKR

2,596

2,147

82.70%

DM

878

698

79.50%

DP

19,413

16,932

87.22%

Totali

23,016

19,887

86.41%

Vlerësimi i Performancës së Prokurorëve

Në vitin 2016,  Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve i Këshillit ka realizuar vlerësimin e performancës së 22 prokurorëve me mandat të përhershëm. Kryeprokurorët e prokurorive themelore, të PSRK-së dhe Prokurorisë së Apelit po ashtu ishin pjesë e këtij vlerësimi.  Nota mesatare e vlerësimit të performancës së 22 prokurorëve rezulton të jetë 3.66.
Ndërsa gjatë këtij tremujori të vitit 2017,  Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve i Këshillit ka vlerësuar 3 prokurorë me pozita menaxheriale.
Ngritja profesionale
Gjatë periudhës raportuese, prokurorët e shtetit kanë marrë pjesë në trajnime për ngritjen e kapaciteteve profesionale, tryeza  pune dhe vizita studimore. Këto aktivitete kanë përfshirë trajnimet nga e drejta procedurale penale, penale materiale dhe për ngritjen e kompetencës ndër-personale.
Krahas pjesëmarrjes në trajnime, prokurorët e shtetit janë angazhuar edhe në cilësinë e trajnuesit për tema të karakterit profesional.
Bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit

Prokurori i Shtetit ka prioritet të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionet për sundimin e rendit dhe ligjit. Në rend të parë, vlen të theksohet bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me Policinë e Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Odën e Avokatëve të Kosovës, Doganat, Administratën Tatimore të Kosovës etj.

Po ashtu me kënaqësi mund t’ju raportojmë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me partnerët ndërkombëtarë që kanë për mision sundimin e rendit dhe ligjit.

Sfidat dhe Vështirësitë

Me gjithë rezultatet pozitive në institucionin tonë, natyrisht viti 2016 është përcjellë edhe me vështirësi dhe sfida:
Ndryshimet në kornizën ligjore të Prokurorit të Shtetit;
Buxheti i pamjaftueshëm për Prokurorinë e Shtetit;
Plotësimi i pozitave të lira për prokurorë;
Procesi i integrimit të prokurorëve dhe stafit në zbatim të Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi;
Zbatimi i sistemit të ri të ndarjes së lëndëve;
Numri i lëndëve të trashëguara nga vitet paraprake;
Numri i vogël i bashkëpunëtorëve profesional, zyrtarëve ligjor dhe ekspertëve;
Mungesa e zyrtarëve për komunikim me publikun si rezultat i buxhetit të pamjaftueshëm;
Ndryshimet ligjore për konfiskimin e pasurisë së krijuar me vepër penale;
Trajtimi i rasteve përmes zbatimit të procedurave alternative.

Objektivat për vitin 2017

Rritja e bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë për plotësimin e kornizës ligjore;
Rritja e efikasitetit në zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale të krimit të organizuar, krimit ekonomik, korrupsionit të nivelit të lartë, trafikimit me njerëz, terrorizmit dhe krimeve të luftës);
Rritja e numrit të rasteve të zgjidhura përmes zbatimit të procedurave alternative;
Reduktimi i lëndëve të grumbulluara në Prokurorinë e Shtetit nga vitet paraprake ;
Sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve të fituara me vepër penale;
Ngritja e mëtejshme e komunikimit me publikun dhe media;
Forcimi i bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar.