Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbajtur sot në promovimin e Udhëzuesit për politikën ndëshkimore.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Kam  kënaqësi dhe privilegj  të veçantë të ndaj sot me ju rëndësinë e doracakut  që ka për qëllim unifikimin e politikës ndëshkimore në gjykatat e Kosovës dhe funksionimin më të mirë të shtetit ligjor.  

Kosova dhe institucionet e drejtësisë janë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që janë duke dhënë  partnerët ndërkombëtarë në konsolidimin e pushtetit gjyqësor.

Me gjitha të arriturat që sistemi gjyqësor ka pasur deri më tani ende ka disa mangësi me të cilat ballafaqohemi, njëra nga to është politika ndëshkimore e cila është adresuar në këtë doracak.

Pavarësisht  vullnetit të mirë të Gjykatës Supreme, politika ndëshkimore mbetet sfidë e përhershme e sistemit gjyqësor, vendimet gjyqësore mbeten fusha më e përfolur nga palët në procedurë, por edhe zona më e ndjeshme nga komentet e medias, madje edhe të pushteteve tjera, sikurse që ishte rasti i para disa ditëve kur u nxjerrë një rezolutë nga Kuvendi i Kosovës, për rastin që ishte në procedurë gjyqësore.
Këto praktika shkelin parimin  e  ndarjes së pushteteteve dhe dëmtojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Prandaj, pushtetet tjera nuk duhet të ndërhyjnë në punët e drejtësisë, pasi që asnjë pushtet tjetër nuk mund të luajë rolin e gjyqësorit.
Nxerrja e vendimeve të drejta dhe ndëshkimi i krimit kërkon ligje të mira dhe vullnet të mirë për zbatimin e tyre, por drejtësia kërkon edhe profesionalizëm dhe dhënia e saj varet edhe nga integriteti moral i gjyqtarit.

E drejta penale e ka paraparë që përveç gjetjes së veprës penale të kundërligjshme dhe përgjegjësisë penale shumë i rëndësishëm është edhe sanksioni penal i cili duhet të rregullohet me politikën ndëshkimore, mirëpo ky kod i jep rëndësi edhe individualizimit të dënimit i cili nuk është në kundërshtim me unifikimin e dënimeve dhe nuk e përjashtojnë njëra tjetrën por duhet të plotësohen brenda suazave ligjore që lejojnë individualizimin e dënimit.

Kjo veti e dënimit në fakt konsiston në realizmin e parimit të barazisë së qytetarëve para ligjit  dhe në realizimin e politikës ndëshkuese unike.
Kriteret e mirë përcaktuara në doracakun për shqiptimin e dënimit  dhe kriteret ligjore do të jenë një bazë e mirë për vlerësimin e lartësisë se dënimit dhe do t’i largojë të gjitha paragjykimet rreth matjes dhe shqiptimit të dënimit.

Gjykatat nëpërmjet politikës ndëshkimore duhet të tregojnë se janë garantuesi më i mirë i funksionimit të pushtetit ligjor dhe mbrojtësi më  i mirë i lirive dhe të drejtave të njeriut.

Nga këto arsye kjo iniciativë është e mirëseardhur nga gjykata supreme e cila është duke bërë përpjekje për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe unifikuar politikën e dënimeve.

Konsideroj se kjo  iniciative është në harmoni edhe me rekomandimin e Këshillit të Evropës lidhur me konsistencën në matjen e dënimeve.
Nga shqetësimet e adresuara nga ana e gjyqtarëve për zvogëlimin e diskrecionit të gjykatësve, dua t’i theksoj disa dobi që sjellë ky doracak.

Kemi qenë dëshmitarë të disa raporteve nga organizatat ndërkombëtare por edhe vendore, që kanë tërhequr vërejtjen mbi politikat jo-adekuate ndëshkimore që janë aplikuar nga gjykatësit tonë. Duke potecuar raste kur një i pandehur është trajtuar ndryshe nga një i pandehur tjetër në raste shumë të ngjashme të profileve të njëjta.
Andaj, unifikimi i dënimeve për veprat e penale të kryera në rrethana të ngjashme është parakusht i një drejtësie të barabartë për të gjithë. Me ketë udhëzues trajtimet diskriminuese që kanë ekzistuar më herët do të evitohen edhe kjo do të paraqet një të arritur të sistemit gjyqësor.

Si pasojë e mosunifikimit të dënimeve gjyqësore prokurori i shtetit ka vuajtur nga zgjidhja e ngadaltë e rasteve, ngase në shumë raste mbrojtësit e të pandehurit nuk kanë treguar interesim për të hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, ngase kanë konsideruar se do të kalojnë më lehtë në gjykatë se në prokurori.
Mos unifikimi i politikës ndëshkimore do të eliminohet me këtë udhëzues dhe na bën te besojmë me arsye se puna e prokurorit të shtetit do të jetë shumë më efikase dhe do të kemi shumë më shumë marrëveshje të fajësisë, nga të cilat do të përfitojnë të gjithë, edhe gjykata duke i zgjedhur rastet më shpejtë edhe në kohë të arsyeshme, gjithashtu do të përfitojnë edhe të pandehurit edhe të dëmtuarit duke mos pritur me vite në zgjidhjen e  rasteve penale.

Mjafton të përmendin parimin se drejtësia e vonuar është edhe drejtësi e mohuar, e me ketë udhëzues do të zgjidhet një herë e përgjithmonë  vështirësitë e evidentuara në sistemin gjyqësor.

 Dimensioni kushtetues i pushtetit gjyqësor nënkupton qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional, që duhet të tregojnë bartësit e funksioneve gjyqësore gjatë shqiptimit të dënimeve, në mënyrë që ato vendime të meritojnë respektin e çdo subjekti të së drejtës, që çështjen ia ka besuar sistemit të drejtësisë.

Kontribut të veçantë në procesin e unifikimit të dënimit duhet të japin edhe prokurorët e shkallës së parë në  rastet kur konsiderojnë se dënimet e shqiptuara nga gjykatat e shkallës së parë nuk janë në përputhje me politikën e dënimeve. Në këto raste prokurorët duhet të ushtrojnë të drejtën e  ankesës me çka i krijojnë mundësi Gjykatës së Apelit për të unifikuar politikën e dënimeve.   

Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se në luftimin e krimit ekonomik, krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, nuk kemi treguar rezultate të knaqshme. Kjo ka ndodhur edhe si pasojë e shqiptimit jo adekuat të dënimeve, e që ka ndikuar edhe te Prokurori i Shtetit, duke mos shfrytëzuar Institutin e dëshmitarit bashkëpunues që është qenësore në luftimin efikas të krimit të profilit të lartë.

Të pandehurit do të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, vetëm atëherë kur ta ndiejnë rrezikun e parashikuar te dënimit adekuat, ketë e siguron pa dyshim ky udhëzues.

Natyrisht se ka edhe shumë më shumë  përfitime tjera nga ky udhëzues, unë uroj që sa më parë të fillojë së funksionuari, por njëkohësisht tërheqë vërejtjen që të mundohemi që ky udhëzues të funksionojë vërtetë, e të mos jete vetëm një grumbull letrash sikurse ka ndodhur me shumë iniciativa tjera.

Nga kjo arsye krejt në fund, ftoj që të shikohen mundësitë që ndoshta ky udhëzues të futet edhe në Kodin penal të Kosovës në kapitullin ku përcaktohen rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit.