Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në konferencë për media

Prishtinë, 3 gusht 2016,

Të nderuar gazetarë,

Ju falenderoj për pjesëmarrjen Tuaj në këtë konferencë shtypi, të cilën e kemi thirrur enkas pas disa shkrimeve në media lidhur me disa përgjime të bëra publike dhe disa të tjerave që janë paralajmëruar të bëhen publike në ditët në vijim, nga portali “Insajderi”.

Me këtë rast dëshirojmë t’ju informojmë se përgjimet kanë të bëjnë me rastin e ish Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.

Me kërkesë të prokurorit, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka lëshuar urdhër për përgjimin e telekomunikimeve. Provat e siguruara nga përgjimet e telekomunikimit kanë qenë të ligjshme dhe të gjitha këto biseda në kohën e hetimeve kanë qenë të njohura për prokurorin e lëndës, si dhe për pjesëmarrësit tjerë në procedurë.

Këto përgjime kanë qenë objekt i shqyrtimit të prokurorit ndërkombëtar, i cili ka ardhur në përfundim se nuk ka dyshim të bazuar mirë për të ngritur akuzën, e që më pak mund të jetë bazë për ndonjë akuzë ndaj ndonjë personi që ka komunikuar me të dyshuarin.

Niveli i provave, të cilat kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar, sipas tij nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ngritur akuza. Tani ato prova nuk mund të rivlerësohen si bazë e mjaftueshme për ngritjen e akuzës, msepse cenojnë parimin e sigurisë. Për rihapje të hetimit duhen prova të reja, të cilat nuk kanë qenë objekt vlerësimi nga prokurori ndërkombëtar.

Në këtë moment ne ende nuk kemi të gjitha të dhënat e duhura andaj mund të jetë e parakohshme të japim çfarëdo komenti në lidhje me rastin, mirëpo sigurojmë se do të veprojmë në pajtim me ligjin dhe rastin do ta trajtojmë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm, për aq sa do të kemi mundësi ligjore që të veprojmë.
Si Kryeprokuror i Shtetit garantoj se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejmë se ka elemente se janë kryer vepra penale, atëherë Prokurori i Shtetit do të veprojë me gjithë forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do t’i nxjerrë para ligjit.

Prokurori i Shtetit është mobilizuar maksimalisht, si në aspektin profesional ashtu edhe atë njerëzor në analizimin e plotë të rastit dhe ne tashmë kemi idetë fillestare se si do të procedojmë më tutje me rastin, ndërsa që në kohën e duhur do të bëjmë publike të gjitha veprimet tona, gjithmonë duke pasur parasysh konfidencialitetin e hetimeve.

Andaj në fund ftojmë qytetarët, mediat dhe të gjithë tjerët të kenë durim dhe ta lejojnë organin e ndjekjes ta bëj punën e tij në mënyrë të pavarur ashtu sikurse është e garantuar me ligj, ndërsa ne sigurojmë edhe njëherë se rasti do të trajtohet në tërësi dhe përgjëgjësit, nëse gjenden prova të mjaftueshme, do të dërgohen para gjykatës.


Ju falenderoj për vëmendjen Tuaj!