Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, me rastin e fillimit të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit

I nderuar Kryeprokuror i Shtetit z. Aleksandër Lumezi,

Shkëlqesia Juaj, znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës,

E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

I nderuar Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci,

Të nderuar ambasadorë dhe drejtues të institucioneve vendore dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,

Të nderuar kryeprokurorë të prokurorive, prokurorë, avokatë, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë, policë dhe ju mbrojtës të viktimave të krimit dhe të pranishëm,  

 

Jam i nderuar që sot jam pjesë e kësaj konference dhe në emër të Këshillit Prokurorial të Kosovës paraqes angazhimet që lidhen me mbrojtjen e viktimave të krimit.

Si kryesues i Këshillit Prokurorial, vlerësoj lart angazhimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave në misionin e tyre të përditshëm në ndihmë dhe mbrojtje të të gjithë atyre që janë goditur nga krimi dhe njëkohësisht i përgëzoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që me punën e tyre ofruan ndihmë dhe mbrojtje në forma të ndryshme për viktimat e krimit.

Mbrojtja e viktimave të krimit është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në atë human, kur kemi parasysh që efektet e krimit kanë implikime të vazhdueshme emocionale dhe fizike.

Këshilli Prokurorial i Kosovës është angazhuar vazhdimisht për ofrimin e infrastrukturës se nevojshme nënligjore dhe teknike në funksion të mbrojtësve të viktimave dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen, duke u bazuar në kompetencat që ka, me qëllim të ngritjes dhe të efikasitetit të punës së të gjithë mbrojtësve të viktimave të krimit.

Në këtë drejtim, pa dyshim, Këshilli Prokurorial i Kosovës do ta ketë prioritet vazhdimin e konsolidimit të mekanizmave institucional, të cilët ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për të gjitha viktimat, ashtu që viktimat e krimit të mos harrohen gjatë administrimit të drejtësisë, por të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur si në aspektin e fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Prandaj, mbrojtja efektive e viktimave të krimit është jetike për një sistem ligjor të drejtë, funksional dhe të mirëfilltë.

Prania dhe roli i prokurorëve nuk do të duhej të shihej vetëm si angazhim simbolik, por, mbi të gjitha, të kenë rol shumë aktiv, i cili përfaqëson fuqishëm interesat e viktimave të krimit, me qëllim që të mos ndjehen të vetmuar dhe pa përkrahje të institucioneve relevante. Prandaj, ndihma dhe mbështetja për viktimat e krimit largon çdo shqetësim të tyre për të panjohurën dhe frikën që kanë për sigurinë e tyre.      

Në këtë drejtim, ka rëndësi të madhe edhe njëra nga shtyllat kryesore, me të cilën sistemi i përgjigjet kësaj ndihme dhe mbështetja e tyre është edhe ...kompensimi për dëmin e pësuar, si formë e ndihmës dhe përkrahjes materiale, shëndetësore, psikologjike dhe sociale.

Procedura penale nuk do të duhej kurrë t’i shtojë vuajtjet e viktimave të krimit, prandaj do të punojmë fuqishëm për të krijuar mekanizma efikas brenda prokurorive të Republikës së Kosovës, me qëllim të mbrojtjes dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e krimit.   

Në këtë drejtim, përkrahje të madhe në këtë fushë kemi pasur në vazhdimësi nga miqtë tanë ndërkombëtarë, ndaj të cilëve jemi shumë mirënjohës. Në veçanti, vlerësoj lart ndihmën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, e cila që nga fillimi e deri më sot ka kontribuuar në forma dhe mënyra të ndryshme për avancimin e të drejtave të viktimave të krimit.

Në fund, ju bëjë thirrje të gjithëve që të punojmë që çdo rast, çdo viktimë dhe çdo ndjekje penale të trajtohet me dinjitet dhe me kohë. Në këtë mënyrë, ne besojmë shumë se duke mbrojtur viktimat e krimit ndërtojmë një ambient të qetë, të sigurt dhe të shëndoshë për tërë shoqërinë tonë.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!