Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Miratohen Raporti vjetor (2020) dhe Plani i punës (2021) së Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 26 mars 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës, nën udhëheqjen e kryesuesit Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e 197-të me radhë, i cili është realizuar përmes komunikimit në distancë.

Raporti vjetor (2020) dhe Plani i punës (2021) të Këshillit Prokurorial të Kosovës ishin aktet e para që u miratuan në takimin e sotëm, me ç’rast ky i fundit është miratuar me disa rekomandime të anëtarëve të KPK-së. Rrjedhimisht, u tha se këto akte pasqyrojnë aspekte të veçanta të punës njëvjeçare të Këshillit dhe arritjet e tij, si dhe synimet dhe planifikimet vijuese për këtë vit, të cilat janë në përputhje me aktet strategjike të sistemit prokurorial.

Po në këtë takim, Këshilli mori vendime për hapjen e konkurseve për avancim të prokurorëve në prokuroritë, si në vijim: katër prokurorë në Prokurorinë e Apelit, dy prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe një në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Po ashtu, pas skadimit të mandatit të anëtarëve paraprakë të Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë, me kërkesë të kësaj të fundit, Këshilli Prokurorial ka caktuar anëtarët e rinj nga radhët e sistemit prokurorial me mandat katërvjeçar në këtë përbërje: Xhevdet Bislimi, Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, Dulina Hamiti nga Prokuroria Themelore e  Prishtinës dhe Valdrin Krasniqi nga Sekretariati i KPK-së.

Gjatë këtij takimi është konfirmuar lista e kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë në përbërje: Dëshirë Jusaj dhe Ramiz Buzhala, si dhe është themeluar paneli hetimor për rastin e një prokurori të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Këshilli miratoi edhe Planin e personelit administrativ për vitin 2021 të sistemit prokurorial, kurse në përfundim të takimit mbajti një seancë dëgjimore për rastin disiplinor të një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, vendimi i së cilës do të bëhet publik siç përcaktohet me ligj.