Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni priti në takim ministrin e Drejtësisë, Selimi

Prishtinë, 10 qershor 2020 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, me ç’rast e ka uruar për pozitën e re dhe e ka njoftuar për punët e deritashme, prioritetet dhe sfidat e sistemit prokurorial të Kosovës.

Kryesuesi Hyseni, ka thënë se KPK-ja është duke punuar në vazhdimësi për krijimin e politikave dhe kushteve sa më të mira për një sistem prokurorial efikas në hetimet dhe ndjekjen e kryerësve të veprave penale, ndërsa me theks të veçantë ka folur për prioritetet e sistemit prokurorial të Kosovës, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në anën tjetër, ministri Selimi, tha se do t’i mbështesë të gjitha proceset e sistemit prokurorial, në mënyrë që së bashku të çojnë përpara sundimin e ligjit në Kosovë.

Kryesuesi Hyseni ka kërkuar nga ministri Selimi mbështetje në plotësimin e bazës ligjore të sistemit prokurorial në fushën e ekspertizës, statusit të prokurorëve pas pensionimit dhe statusit të shërbyesve civilë të këtij sistemi.

Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për buxhetin e sistemit prokurorial të Kosovës, me ç’rast ministri Selimi shprehu gatishmërinë e tij për ofrimin e ndihmës në kërkesat buxhetore të Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, u bisedua edhe për fuqizimin e politikave të sistemit prokurorial sa i përket rasteve të shenjëstruara.

Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit shprehen gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës dhe transparencës në sistemin prokurorial të Kosovës.​