Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet Udhëzuesi për menaxhimin e sigurisë së objekteve të sistemit prokurorial

Prishtinë, 10 janar 2020 – Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga kryesuesi Zejnullah Gashi, ka mbajtur takimin e parë për vitin 2020, me ç’rast është diskutuar për Udhëzuesin për sigurimin, ruajtjen, qasjen dhe rendin në objektet e sistemit prokurorial.

Në këtë takim, përveç anëtarëve të Komisionit për Çështje Normative, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së dhe përfaqësuesit e Organizatës Joqeveritare “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”.

Ky udhëzues ka për qëllim menaxhimi e sigurisë së objekteve të sistemit prokurorial, koordinimin e punës në mes të personelit të sigurisë dhe ofrimin e një ambienti të sigurt në objektet e sistemit prokurorial.  Sa i përket këtij udhëzuesi, fillimisht janë hartuar dy drafte, me ç’rast janë diskutuar disa dispozita të rëndësishme, që, sipas propozimeve konkrete të dala nga ky takim, do të jenë pjesë e udhëzuesit, i cili do të dalë për aprovim në Këshill.