Kryeprokurori i Shtetit z.Ismet Kabashi po qëndron për vizitë pune në Tiranë
Tiranë, 12 tetor 2010 – Një delegacion i Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Kryeprokurori i Shtetit, z. Ismet Kabashi po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë.
Delegacioni nga Prishtina sot u prit nga Kryeprokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë znj. Ina Rama.
Në këtë takim u bisedua për thellimin e bashkëpunimit në mes Prokurorisë së Shtetit të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë.
Duke synuar forcimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në të gjitha çështjet me interes të përbashkët, sidomos në luftën kundër veprave penale Kryeprokurori Kabashi dhe Kryeprokurorja Rama nënshkruan edhe memorandum të mirëkuptimit.
Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është kontribuimi në interesat e përbashkëta të Palëve në parandalimin, hetimin dhe provueshmërinë e veprimtarive kriminale, të kryer si nga individë, ashtu edhe nga grupe të organizuara.
Delegacioni nga Prishtina gjatë ditës së nesërme do të zhvillojnë takime edhe me ministrin e Brendshëm, z. Lulzim Basha, me kryetaren e Gjykatës së Lartë, znj. Shpresa Beçaj, si dhe me ministrin e Drejtësisë, z. Bujar Nishani.