Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh kryetarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ismet Kabashi, në ceremoninë e prezantimit të raportit të punës së prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2011

Prishtinë 18 prill 2012

Prokuroritë e Republikës së Kosovës, në vitin 2011 kanë ngritur dhe avancuar punën e tyre në të gjitha aspektet, atë të efikasitetit, azhuri tetit dhe kualitetit. Ato kanë punuar me 61% të kapaciteteve të prokurorëve dhe me mungesë të theksuar dhe adekuat të stafit mbështetës. Prokuroritë në regjionet e Pejës dhe Mitrovicës, si dhe ajo Komunale e Ferizaj-it edhe në kushte jo të mira të punës, me mungesë shumë të madhe të lokalit.

Për vlerësimin e rezultateve të punës së prokurorëve sa i përket vëllimit të punës e me këtë edhe të secilës prokurori dhe sistemit prokurorial në tërësi jemi shërbyer me normën orientuese ekzistuese sipas së cilës një prokuror në Prokurorinë Komunale duhet të përfundojë apo zgjidh 250 kallëzime penale në vit ndërsa një prokuror i qarkut 60 kallëzime penale në vit. Prokurorët në Prokurorinë e Shtetit dhe ata në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, edhe pse këta të dytët, të PSRK janë prokuror të shkallës së parë, nuk kanë norma orientuese. Këtë vit Këshilli Prokurorial i Kosovës ka përcaktuar normat edhe për PSRK dhe ato do të zbatohen nga 01.01.2012.

Rezultatet sa i përket efikasitetit të punës janë të shkëlqyera. Çdo prokuror komunal mesatarisht ka zgjidhur 647 kallëzime penale, ndërsa ata të qarkut mesatarisht nga 119 kallëzime penale. Duhet të veçoj se prokuroritë me efikase të shkallës së parë janë ajo komunale e Gjilanit me 997 kallëzime mesatarisht për një prokuror dhe ajo e qarkut në Prishtinë me 175 kallëzime për një prokuror.

Prokurorët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, të gjithë së bashku, vendorët dhe ndërkombëtarët kanë zgjidhur 43 kallëzime penale kundër 282 personave. Kjo e dhënë tregon se kjo prokurori merret me zgjidhjen e rasteve ndër më të ndërlikuarat si për nga natyra e veprave penale ashtu edhe për nga numri i personave të implikuar në kryerjen e tyre.

Prokurorët në Zyrën e Prokurorit të Shtetit kanë kryer 99% të lëndëve të pranuara në punë.

Rezultatet e punës sa i përket kualitetit janë po ashtu të shkëlqyera. Gjatë vitit raportues prokuroritë kanë akuzuar 25.865 persona. Lidhur me këto dhe akuzat nga vitet e më parme gjykatat kanë marrë vendime të shkallës së parë kundër 20.705 personave prej të cilave vetëm 286 persona  apo 1,6% të personave ndaj së cilëve kanë marrë vendime të shkallës së parë, kanë liruar nga aktakuza. Më tutje gjykatat kanë refuzuar akuzën për shkak të heqjes dorë nga ndjekja penale nga ana e prokurorit kundër 964 personave, ndërsa për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale kanë pushuar procedurën kundër 3336 personave.

Për kualitetin e shkëlqyer të akuzimeve tregon edhe procedura që zbatohet pran gjykatës për konfirmimin e akuzues. Nga të gjitha akuzuat e parashtruara, që i nënshtrohen procedurës së konfirmimit, nuk janë konfirmuar vetëm akuzuat kundër 83 personave që është vetëm 1.5%  nga numri i personave të akuzuar me akte të tilla akuzuese.

Është sukses për një sistem prokurorial nëse gjatë një viti gjykatat marrin aktgjykime liruese dhe refuzuese që nuk kalon 15% të numrit të përgjithshëm të personave të gjykuar, ndërsa në, vitin e kaluar kishim gjithsej 6% të vendimeve të shkallës së parë me të cilat të akuzuarit janë liruar nga akuzua apo akuza është refuzuar për shkak të heqjes dorë të prokurorit nga ndjekja penale në shqyrtimin gjyqësor.

Edhe suksesi në azhuritet është i shkëlqyeshëm. Qëndron fakti se në fund të këtij viti na kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet penale kundër 22.991 personave ose 684 persona më shumë se vitin paraprak, mirëpo gjatë këtij viti ne kemi pranuar në punë kallëzime penale kundër 4.705 personave me shumë.

Janë arritur rezultate të lakmueshme edhe në fillimin e procedurave penale me iniciativën e prokurorëve. Në këtë mënyrë, këtë vit,  kanë filluar procedurat në 330 raste që është për 192% më shumë se një vit më parë.

Shikuar sipas kallëzimeve penale kriminaliteti është në rritje, ngase kemi pranuar në punë kallëzimet kundër 4.705 personave më shumë se vitin paraprak.

Për krime të luftës dhe kundër të drejtës ndërkombëtare gjatë këtij viti janë paraqitur 13 persona. Nga këto dhe kallëzimet nga vitet e kaluara janë zgjidhur kallëzimet penale kundër 10 personave në atë mënyrë që tetë prej tyre janë akuzuar, ndërsa ndaj dy personave është vërtetur se nuk kemi të bëjmë me krime të kësaj natyre dhe u janë dërguar në kompetencë prokurorive tjera. Në fund të vitit raportues kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet kundër 1.083 personave. Kodi i Procedurës Penale të Kosovës nuk lejon gjykimin në mungesë e as përfundimin e një hetimi pa dëgjuar të pandehurin. Shumica e të dyshuarve për kryerjen e këtyre veprave penale nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes dhe procedura nuk mund të përfundohet në prokurori. Është me rëndësi se ndjekja penale për shumicën nga këto vepra penale nuk parashkruhet.

Për veprat penale të trafikimit me qenie njerëzore dhe kontrabandimin me emigrantët janë paraqitur 185 persona. Prokuroritë kanë akuzuar për këto vepra penale 109 persona, për 66 persona është konstatuar se nuk kanë kryer këto vepra penale, por vepra tjera. Në fund të vitit kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet penale kundër 126 personave nga kallëzimet e këtij dhe të viteve të më parme.

Për krim të organizuar janë paraqitur 51 persona dhe kemi pasur të pazgjidhura nga vitet e më parme kallëzimet kundër 100 personave. 36 persona janë akuzuar, ndaj 13 personave është pushuar procedura, ndërsa kallëzimet kundër 9 personave janë dërguar në kompetencë, pasi që është vërtetuar se nuk kemi të bëjmë me krim të organizuar. Kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet kundër 93 personave.

Për veprat penale lidhur me narkotikët janë pranuar në pune kallëzimet kundër 493 personave, ndërsa nga vitet e më parme kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet kundër 220 personave. Këtë vit kemi akuzuar 309 persona, ndërsa kemi zgjidhur kallëzimet kundër 432 personave. Kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet edhe kundër 309 personave.

Për veprat penale kundër detyrës zyrtare, të korrupsionit lidhur me të apo keqpërdorimit të saj kemi pasur në punë kallëzimet kundër 1.503 personave, prej së cilëve 820 të paraqitur gjatë vitit raportues.

Ne gjatë këtij viti kemi caktuar prokuror të veçantë për veprat penale të kësaj natyre në secilën prokurori, duke emëruar edhe koordinatorin për drejtimin e punës së prokurorive lidhur me këto vepra penale. Kjo ka rezultuar me sukses sepse kemi zgjidhur kallëzimet penale për 392 persona më shumë se vitin e kaluar. Kemi akuzuar 354 persona, ndërsa kemi zgjidhur kallëzimet penale kundër 743 personave. Vërehet se është një dallim i madh i numrit të personave ndaj së cilëve janë zgjidhur kallëzimet penale dhe numrit të personave të akuzuar. Kjo është kryesisht pasojë e kallëzimeve penale jo kualitative dhe të pambështetura në prova.

Ju njoftojë edhe vetëm me të dhënat e veprave penale që ndërlidhen me dhunën në familje. Për këto vepra penale janë paraqitur kallëzimet penale kundër 542 personave, ndërsa nga vitet e më parme kemi pasur në punë edhe kallëzimet kundër 87 personave. Prokuroritë kanë zgjidhur kallëzimet kundër 515 personave ose 81.9% të personave të paraqitur dhe në fund të vitit raportues kanë mbetur të pazgjidhura kallëzimet kundër 114 personave. 426 persona janë akuzuar.

Për kryesit e panjohur të veprave penale janë paraqitur 12.703 kallëzime penale dhe krahasuar me vitin e kaluar janë 226 kallëzime më pak që tregon në shtimin e efikasiteti të policisë dhe prokurorisë në zbulimin e kryesve të tillë të panjohur të veprave penale.

Gjatë vitit 2011 janë emëruar 8 prokurorë prej të cilëve 3 kanë kaluar nga prokuroritë komunale në ato të qarkut. Kemi përfunduar vitin me vende të lira edhe për 34 prokurorë nga të cilët për 16 prokurorë vendet janë të rezervuara për prokurorë nga radhët e pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë.

Në mbledhjen e fundit Këshilli i ka propozuar Presidentit të dekretojë edhe 12 prokurorë në prokuroritë komunale. Këshilli Prokurorial po ashtu në mbledhjen e fundit ka vendosur të shtojë edhe për 20 numrin e prokurorëve të prokurorive të Kosovës për tu përmbushur numri i nevojshëm i prokurorëve për srukturën e re organizative të sistemit prokurorial.

Synim i Prokurorit të Shtetit është specializimi i prokurorëve. Janë specializuar prokurorët për korrupsion dhe për procedurën për të mitur. Gjate këtij viti do të specializohen prokurorët për departamentet e krimeve të rënda dhe në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor do të vazhdojmë me trajnimin e vazhdueshëm ligjor të prokurorëve të posa emëruar.

Prokurori i Shtetit ka shënuar rezultate edhe në bashkëpunim me publikun dhe me organizatat joqeveritare, me qëllim të rritjes së transparencës. Janë instaluar Ueb faqet e Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës ndërsa janë caktuar prokurorët që do të trajnohen për komunikim me media.