Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

KPK-ja shpall konkurset për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 13 tetor 2023 - Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku, mbajti takimin e 235-të me radhë.

Fillimisht, KPK-ja mori vendim bazuar në Rregulloren për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, për shpalljen e konkurseve për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga data 16 tetor deri më datën 3 nëntor 2023, si dhe themeloi panelet vlerësuese dhe komisionet përkatëse për rishqyrtim për këto dy konkurse.    

Anëtarët e KPK-së vendosën për shpalljen e brendshme për avancimin e dy prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe dy prokurorëve të tjerë në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe miratuan Raportin për vlerësim të performancës së nëntë (9) prokurorëve me mandat të përhershëm, me ç’rast trajtoi edhe kundërshtimet e paraqitura ndaj këtij raporti, sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi.

KPK-ja aprovoi kërkesën për klasifikimin e vendeve të punës dhe ndryshim-plotësimin e Planit të personelit administrativ të sistemit prokurorial për vitin 2023 dhe propozimin për dërgimin e një letre urgjente te Presidentja e vendit për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, z.Blerim Isufaj, pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

KPK-ja po ashtu aprovoi dërgimin e propozimit te Presidentja e vendit për lirim nga detyra të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë me rastin e pensionimin të tyre gjatë muajit nëntor 2023.