Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i rregullt i mekanizmit koordinues për rastet e dhunës në familje

Prizren, 16 dhjetor 2022- Është mbajtur takimi i rregullt (përmbyllës për vitin 2022), i mekanizmit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.

Në këtë takim, thirrur dhe organizuar nga Prokurorja dhe Koordinatorja për rastet e dhunës në familje znj. Mehreme Hoxha, dhe mbështetur nga OSCE, ishin të pranishëm përfaqësues nga Prokuroria Themelore në Prizren, Policia e Kosovës për Regjionin e Prizrenit, përfaqësues nga Gjykata Themelore në Prizren, përfaqësues nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, nga Spitali i Përgjithshëm në Prizren, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale dhe Shërbimi Sprovues.

Prokurorja znj. Mehreme Hoxha, theksoi se në periudhën janar – nëntor 2022, Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar treqind e dhjetë (310) kallëzime penale, kundër treqind e dyzet e pesë (345) personave, lidhur me veprat penale të dhunës në familje. Nga këto raste, rreth 83% e viktimave janë gra dhe vajza.

Në këtë takim, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin e këtyre rasteve, dhe u theksua se rastet e dhunës në familje, janë rastet më të vështira për trajtim, sidomos sfiduese janë rastet kur kemi të bëjmë me kryes me çrregullime mendore. Po ashtu, tek rastet e dhunës në familje, veçanërisht duhet të vlerësohen efektet e traumës te viktima që mund të ndikojë në kujtesën e viktimës. Gjithashtu, u potencua fakti i mungesës së psikologëve klinik të licencuar në Regjionin e Prizrenit.

 Po ashtu, u theksua se çdo rast i dhunës në familje duhet evidentohet në data -bazën e të dhënave për këto raste si dhe kallëzimet penale të hartohen në mënyrë sa më profesionale. Gjithashtu, u kërkua që urdhërarrestet të zbatohen në mënyrë urgjente te kryesit e dhunës në familje, të cilët nuk iu përgjigjen ftesave të rregullta.

Sa i përker rasteve të  dhunës në familje, u vlerësua se është e rëndësishme që të bëhet vlerësimi i rrezikut për viktimën, në mënyrë që të merren masa adekuate për mbrotjte të viktimave, të parapara si në Procedurat standarde të veprimit.

Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë.