Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Reagim i Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me shkrimet e publikuara në rrjete sociale nga drejtori i mediumit “Nacionale”, Berat Buzhala

Prishtinë, 20 prill 2023 – Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), reagon ndaj gjuhës fyese dhe shpifëse që po përdoret tash e një kohë nga drejtori i mediumit “Nacionale”, Berat Buzhala, ndaj Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi.

Këshilli Prokurorial, thekson se me anë të shpifjeve, drejtori i “Nacionale”-s po tenton të njollosë pa të drejtë personalitetin, integritetin dhe profesionalizmin e U.D. Kryeprokurorit Kelmendi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se kjo seri e shkrimeve hyn në radhën e shpifjeve qëllimkëqija ndaj U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, sepse është fakt i njohur se punëtorët shqiptarë të administratës në gjykata dhe prokurori  të cilës i përkiste edhe z. Kelmendi, kanë punuar në bazë të kërkesës së subjekteve politike shqiptare të asaj kohe, ku rolin kryesor e kishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke qenë kështu në shërbim të plotë të kauzës gjithëpopullore të asaj kohe për liri dhe pavarësi nga regjimi serb.

Për më tepër, KPK-ja thekson, siç ka potencuar edhe herëve të tjera, se U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi është vendosur në këtë detyrë si rezultat i vlerësimit dhe i përkrahjes së të gjithë anëtarëve të KPK-së, për të ushtruar këtë detyrë deri në dekretimin e Kryeprokurorit të ri Shtetit, me ç’rast është vlerësuar integriteti dhe pastërtia e figurës së tij. Për hir të korrektësisë, U.D. Kryeprokurori Kelmendi nuk ka kandiduar fare për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nuk ka synime të tilla.

Këshilli Prokurorial, me këtë rast, vlerëson se në bazë të kësaj çfarë ka shkruar gazetari Buzhala ekziston një tendencë për të përçare sistemin prokurorial, por këto përpjekje do të dështojnë, sepse KPK-ja dhe institucioni i Prokurorit të Shtetit janë unikë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe të pa kompromis në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

KPK ia bënë me dije opinionit publik se U.D. Kryeprokurori i Shtetit do të shfrytëzojë rrugët ligjore për t’iu drejtuar gjykatës kompetente me padi për shpifjet e bëra nga drejtori i gazetës “Nacionale”.