Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U.D. Kryeprokurori i Shtetit takoi kryeprokurorët e prokurorive të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 22 korrik 2022 – Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Njoftimi për së afërmi me gjendjen aktuale në secilën prokurori veç e veç, përkatësisht, adresimi dhe diskutimi i përbashkët lidhur me sfidat dhe vështirësisë gjatë punës së përditshme në menaxhimin e prokurorive, kryerja e lëndëve penale, veçmas rritja e efikasitetit në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe nevoja për shtimin e numrit të prokurorëve në të gjitha nivelet e prokurorive, ishin disa nga çështjet thelbësore të takimit të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit, Kelmendi, me kryeprokurorët e prokurorive dhe prokurorët e ZKPSH-së, të cilët, njëkohësisht, monitorojnë prokuroritë përkatëse.

Po ashtu, në fokus të këtij takimi, ishte edhe diskutimi për ndryshimet në Kodin e Ri të Procedurës Penale, risitë që janë futur në këtë Kod dhe përgatitjet e institucionit të Prokurorit të Shtetit për zbatimin sa më efikas të tij.

Në fund të takimit, U.D. Kryeprokurori Kelmendi iu ka ofruar bashkëpunim të ngushtë të gjithë kryeprokurorëve në adresimin dhe tejkalimin e të gjitha sfidave institucionale.